TIRANE– Elvis Gaçaj, i mbijetuari i atentatit mafioz, ndodhur mbrëmjen e së enjtes në afërsi të stadiumit “Dinamo”, është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare. Ai është ulur disa herë në kafazin e hekurt, si i dyshuar për krime të rënda, e madje edhe është dënuar me burgim. Dënimi më i fundit penal i firmosur për Gaçajn, është ai i 7 majit të 2013-ës. Gjykatësi Ibrahim Hoxha, e ka cilësuar fajtor Gaçajn dhe dënuar me 6 muaj burg për akuzën e “dhunës në familje”.

Në vendimin e gjykatës thuhet se Elvis Gaçaj ka ushtruar dhunë ndaj nënës dhe motrës. Të gjithë pjesëtarët e familjes kanë dëshmuar në gjykatë kundër tij, ndonëse vetë Gaçaj nuk e ka pranuar akuzën.

Vendimi i plotë
Në datën 16.12.2012, në Komisariatin e Policisë nr.2 Tiranë, Sh. Gaçaj ka bërë kallëzim penal ndaj djalit të tij Elvis Gaçaj. Sh. Gaçaj, së bashku me bashkëshorten B. Gaçaj dhe të bijën A. Gaçaj, banojnë në të njëjtën banesë me të birin, të pandehurin Elvis Gaçaj, bashkëshorten dhe fëmijën e tij të mitur. Në datën 16.12.2012, rreth orës 10:00, ndërsa i pandehuri Elvis Gaçaj ka qenë në banesë me motrën, A. dhe të ëmën e tij B. Gaçaj, ka gjuajtur me grushte dhe shkelma këtë të fundit. Në këto rrethana, A. ka ndërhyrë në mbro-jtje të së ëmës, por i pandehuri Elvis ka gjuajtur edhe të motrën. Si rezultat i dhunës së ushtruar, e ëma dhe motra janë kyçur me çelës në dhomën e tyre të gjumit, por i pandehuri Elvis Gaçaj ka shqyer derën dhe ka ushtruar përsëri dhunë ndaj tyre.

Ndodhur në këto kushte, nëna e Gaçajt ka telefonuar bashkëshortin e saj Shpëtimin, i cili, pasi ka ardhur në banesë, ka gjetur të shoqen duke qarë, me fytyrë të skuqur, si dhe derën e dhomës së gjumit të shqyer. Prej tyre pretendohet se i pandehuri Elvis Gaçaj ka ushtruar në vazhdimësi dhunë fizike dhe psiko-logjike ndaj së ëmës së tij, duke e gjuajtur me grushte, shkelma, me sende të ndryshme shtëpiake, duke e sharë dhe ofenduar, duke përplasur dyert e banesës si dhe duke dëmtuar orendi shtëpiake, si karriget, frigoriferin dhe dyert e banesës.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: