Gjykata Supreme e Bangladeshit ka anuluar të dielën shumicën e kuotave për vende të punës në institucione qeveritare, mirëpo nuk ka plotësuar tërësisht kërkesat e studentëve, të cilët kanë mbajtur protesta vdekjeprurëse në ditët e fundit.
Autoritetet kanë raportuar 151 persona kanë vdekur si pasojë e përleshjes së studentëve me forca të sigurisë.
Këto protesta kanë shënuar një prej trazirave më të rënda gjatë udhëheqësisë së kryeministres Sheikh Hasina.
Ushtarët janë duke patrulluar në gjithë Bangladeshin, pasi polica nuk ka arritur të mbajë rendin, ndërsa linjat e internetit dhe komunikimeve janë kufizuar ashpër prej të enjtes, duke izoluar këtë shtet me pjesën tjetër të botës.
Gjykata Supreme ishte planifikuar të merrte vendim për këtë rast përgjatë muajit gusht, mirëpo ka dalë me një vendim të dielën, për shkak të përshkallëzimit të dhunës.