TIRANE

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka dalë i lumtur nga Gjykata e Krimeve të Rënda dhe dha lajmin se është pranuar kërkesa e tij për të mos u zgjatur hetimet për të.


Ai tha se kjo maratonë po shkon drejt fundit dhe se prokurorët do të kenë kohë deri më 10 mars që të mbyllin hetimet.


“Për mua dhe prokurorinë fillon numërimi mbrapsht. Deri më 10 mars besoj që edhe prokuroria do ketë kohë të mbyllë hetimet. Kam pasur durim dhe do kem akoma, ashtu siç kam pasur forcë për t’ju shpjeguar të gjithë qytetarëve të vërtetën time deri në gërmën e fundit .Më vjen mirë që jam në këtë fazë. Gjykata më dha të drejtë, kjo histori nuk mund të zgjasë pafund”,- tha ai përpara gazetarëve.


Jeni 3 me zëro me prokurorinë, a do ta fitoni këtë betejë?


Saimir Tahiri: Nuk e shoh si lojë golash, por si mundësi për të marrë drejtësinë që më takon. Kam mbajtur mbi kurriz akuza nga më të rëndomtat dhe më skandalozet. Ka pritur pa folur që drejtësia të flasë. Kur kjo ndodh me mua imagjinoni ju ç’ndodh me qytetarët.

Më 17 Janar të këtij viti, organi i akuzës njoftoi se do të zgjasë edhe me tre muaj afatet e hetimit. Shkak për zgjatjen e hetimeve është bërë letër-porosia që autoritetet shqiptare i kanë dërguar Malit të Zi dhe Katanias. Përgjigja ende nuk ka ardhur dhe dosja nuk mund të dërgohet për gjykim nëse nuk ka përfunduar procesi i hetimit. Por pas “ok” që gjykata i dha Tahirit, organi i akuzës do të duhet të përfundojë hetimet deri më 10 mars.

(m.a/BalkanWeb)