Akuzë të montuar politikisht e ka cilësuar ish-deputeti Arben Ristani akuzën ndaj tij, kreut të PD-së dhe Ilir Dervishit.

Ristani ka folur pak minuta pasi gjykata e Tiranës vendosi të pushojë çështjen për falsifikim nga tre zyrtarëve të PD. Ai tha se fakti nuk ekziston dhe se veprimet e PD janë normale dhe të bazuara në ligj.

“Fakti nuk ekziston, veprimet e kryera nuk janë të rrezikshme por janë normale dhe të bazuara në ligj. Për këtë arsye gjykata vendosi të pushojë çështjen. Prokuroria në këtë rast është një rast i pastër për t’i treguar publikut si shndërrohet një organ i drejtësisë kur frustrohet nga dhuna politike. Prokuroria kërkoi dy gjëra më pas vjen edhe një urdhër i tretë që përjashtonte një prej prokurorëve, pra një çorganizim. Akuzë e montuar politikisht. kanë qenë veprime totalisht ligjore nga ana e PD. Sado që të ndikojmë tek drejtësia gjithmonë do ketë njerëz që do japin drejtësi. Drejtësia është ajo që i mungon këtij vendi. PD ka paguar para që rrjedhin nga buxheti i saj dhe që rrjedhin nga KQZ”, deklaroi Ristani.

Ai tha se nuk e di se si do të veprojë prokuroria por se gjithmonë do të ketë dhe brenda prokurorisë njerëz të përgjegjshëm.
“Unë parashikoj që njerëzit e drejtësisë do të japin drejtësi dhe që brenda prokurorisë ka njerëz të përgjegjshëm. Falsifikim me mosveprim është një akuzë që dhe një studenti t’ia thuash… A mund të ketë logjikë normale? Erdha sepse në karrierën time këtë sallë e kam parë nga pozicioni i gjykatësit e avokatit kisha kuriozitet ta shikoja dhe si i akuzuar”, u shpreh Ristani.

Lulzim Basha, u dërgua zyrtarisht i pandehur në gjykatë për akuzën e falsifikimit të formularëve, lidhur me kontratat e lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në shumën e 675 mijë dollarë.

Në të njëjtën dosje e për të njëjtën akuzë u morën të pandehur edhe ish-Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani, dhe shefi i financës së këtij subjekti politik, Ilir Dervishi. Prokuroria vendosi të pushojë akuzën e pastrimit të parave me lobim rus, që ngriti muaj më herët ndaj shefit të opozitës dhe dy zyrtarëve të tjerë të djathtë. E tashmë Gjykata vendosi të pushojë çështjen duke liruar nga akuzat për falsifikim tre zyrtarët e PD.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb