Valdrin Pjetri është konfirmuar zyrtarisht nga Gjykata e Shkodrës si kryetari i ri i Bashkisë së Shkodrës, duke rrëzuar kërkesë-padinë e bërë nga Voltana Ademi.

Gjykata e Shkodrës ka konfirmuar sot vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për mandatin e Pjetrit, duke iu bashkuar kështu vullnetit të zgjedhësve.

Në zgjedhjet e 30 qershorit 2019, u rikonfirmua si kryebashkiak për mandatin e parë në Shkodër si pjesë e Partisë Socialiste në Aleancën për Shqipërinë Europiane. Përballë tij nuk pati asnjë kandidat.

Seanca gjyqësore u drejtua nga gjyqtari Hasan Selimi.

Tre ditë më parë, kjo gjykatë e shtyu vendimin për konfirmimin e mandatit të Valdrin Pjetrit, për tu njohur me provat e paraqitura nga Bashkia e Shkodrës, me kryetaren në detyrë, Voltana Ademi, që pretendonte parregullsi në procesin zgjedhor.

Bashkia e Shkodrës u përfaqësua në këtë proces nga avokati Jordan Daci.

“Këto nuk ishin pretendimet e PD-së, ishin pretendimet e kryetares së bashkisë në detyrë, Voltana Ademi. Gjykata vendosi kthimin e padisë dhe akteve duke gjykuar që ky ishte vendimi i saktë për këtë rast. Gjithsesi ne nuk i heqim asnjë presje pretendimeve tona për sa i përket parregullsive të fitimit të gjithë mandateve duke përfshirë edhe mandatin e sapo vërtetuar nga Gjykata e Shkodrës”, tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: