Personit të arrestuar për dyshimin për krime lufte gjatë Betejës së Koshares, i është caktuar masa e paraburgimit për një muaj.
Zëdhënësja e Gjykatës së Lartë në Beograd Milica Veliçkoviç ka deklaruar se vendimi është marrë, për shkak se ekziston mundësia që i arrestuari të arratiset.
“Kjo që të mos ndikojë te dëshmitarët dhe për shkak se i dyshuari është akuzuar për vepër penale për të cilën është paraparë dënimi me burg mbi 10 vjet, si dhe mënyra e kryerjes së krimit dhe serioziteti i pasojave bëri që opinioni të shqetësohet”, tha Veliçkoviç, shkruajnë mediet serbe.
Sekretari i Zyrës së Kosovës në Beograd, Fatmir Haxholli, reagoi, pasi ministri i Brendshëm i Kosovës Ivica Daçiç ka njoftuar se Policia e Serbisë ka arrestuar shtetasin e Kosovës me inicialet F.K, me pretendimin se ka kryer “krime lufte” ndaj ushtrisë serbe gjatë luftës.
Haxholli deklaroi se është për të ardhur keq që një vend si Serbia nuk i ndal arrestimet e kosovarëve.
Edhe ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, tha se është e vështirë që Serbia t’i përgjigjet kërkesës të autoriteteve të Kosovës për ekstradimin e shtetasve të Kosovës, që po mbahen në paraburgim në Serbi, edhe për shkak të mosbashkëpunimit të vazhdueshëm juridik.
“Ne ende nuk kemi marrë përgjigje. Nuk mund të them që do të kemi apo jo përgjigje, por duke pasur parasysh që në vazhdimësi ka pasur refuzim për bashkëpunim juridik… natyrisht që është goxha e vështirë që mund të kemi përgjigje”, tha ajo.