Përmes një komunikate për media nga Zyra e Bashkimit Evropian dhe misionet e vendeve anëtare që janë të pranishme në Kosovë, sërish kanë kundërshtuar shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Në komunikatën për shtyp ata, megjithatë i kanë dhënë kredit reagimit të fundit të Kadri Veseli rreth Gjykatës. Kjo është komunikata e dërguar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, e përkthyer në gjuhën shqipe nga Express:


Deputetët e Kosovës kanë marrë iniciativë ta shfuqizojnë Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Prokurorin e Specializuar. Kjo iniciativë, thotë Bashkimi Evropian, është shqetësim shumë i madh për BE-në dhe shtetet anëtare.


Në vitin 2014, Kosova është përkushtuar me Bashkimin Evropian për t’i themeluar Dhomat e Specializuara. Ky ishte një hap i rëndësishëm për të dëshmuar përkushtimin e Kosovës ndaj sundimit të ligjit. Si rezultat, BE-ja e mirëpriti themelimin e Dhomave të Specializuara nga Parlamenti i Kosovës në vitin 2015.


Çdo tentim për ta shfuqizuar apo ndryshuar mandatin e Dhomave të Specializuara e minon seriozisht një përkushtim të tillë dhe do ta rrezikonte seriozisht punën e arritur nga Kosova dhe BE-ja për sundimin e ligjit të arritur viteve të fundit. Kjo do të kishte ndikim negativ në marrëdhëniet e Kosovës me BE-në.
Prandaj, BE-ja u bën thirrje iniciatorëve të nismës së Parlamentit që ta tërheqin këtë iniciativë. BE-ja e mirëpret deklaratat publike të kohëve të fundit nga liderët politikë në përkrahje të nderimit të obligimeve të Kosovës. BE-ja i përshëndet mediet dhe shoqërinë civile që kanë ngritur zërin kundër kësaj iniciative të dëmshme. BE-ja e përkrah fuqishëm përparimin e Kosovës në integrimin e saj evropian./express