Dhomat e Specializuara në Hagë kanë njoftuar se është liruar “me kushte të rrepta”, ish-kryetari i Komunës së Malishevës, Isni Kilaj. Lirimi i tij me kusht është mundësuar pas dhënies së dorëzanisë prej 30.000 eurosh. Në nëntor të vitit 2023, Kilaj u arrestua nga Dhomat e Specializuara në Hagë, nën dyshimet për veprat penale që kanë të bëjnë me pengimin e drejtësisë.
Pavarësisht se ai është liruar me kusht, Dhomat e Specializuara thanë se në vendimin për rishikimin e paraburgimit ndaj Kilajt, gjykata ka konstatuar se “ende ekziston dyshimi i bazuar që Kilaj ka kryer vetë ose së bashku me të tjerë, vepra penale kundër administrimit të drejtësisë”. Gjykata tha se pavarësisht vendimit për lirim, ka ende rrezik “të moderuar” që Kilaj të arratiset dhe të pengojë ecurinë e proceduraleve penale, si dhe “të kryejë vepra të tjera penale”.
“Megjithatë, gjykatësi arriti në përfundim se zgjatja e paraburgimit të zotit Kilaj, në rrethanat aktuale do të ishte e paarsyeshme, duke marrë në konsideratë prezumimin e pafajësisë dhe të drejtën e tij për liri në rrethanat e zhvillimeve të reja”, u tha në njoftim.
Po ashtu, ndër arsyet e vendimit për lirimin e Kilajt u përmend edhe vendimi i Prokurorisë së Specializuar që synon të paraqesë një aktakuzë të ndryshuar ndaj tij dhe kjo mund të marrë kohë. Në njoftimin e Dhomave të Specializuara, që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale, u theksua se Kilaj mund të dënohet deri me pesë vjet burgim për veprat për të cilat dyshohet.
Kilaj ka qëndruar për pothuajse gjashtë muaj në qendrën e paraburgimit në Hagë. Kur u arrestua, Prokuroria e Specializuar tha se ai dyshohet për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe shkeljen e sekretit të procedurave.
Kilaj kishte drejtuar komunën e Malishevës në dy mandate, nga 2007 deri më 2009 dhe nga 2009 deri më 2013. Më 2015, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për Gjykatën Speciale, e cila funksionon me ligje të Kosovës, por në territorin e Holandës. Në këtë institucion punojnë prokurorë dhe gjykatës të huaj.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Deri më tani, Specialja ka shqiptuar dënim për pengim të drejtësisë ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati, të cilët vitin e kaluar u liruan me kusht. Ndërkaq, aktualisht pranë Dhomave të Specializuara janë duke u zhvilluar dy raste gjyqësore, ai ndaj ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – që akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Rasti i dytë ka të bëjë me akuzat për krime lufte ndaj Pjetër Shala./Rel/