PRISHTINE- Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i është rikthyer sërish kryefjalës së diskutimeve, Gjykatës Speciale. Kreu i shtetit kosovar u ndal tek iniciativa e një numri deputetësh të Kuvendit për zhbërjen e Gjykatës Speciale.


Ai tha se ka pasur bisedime me ambasadorët e shteteve kryesore perëndimore për planin për shfuqizimin e Ligjit për Tribunalin Special nuk kanë qenë “diçka e jashtëzakonshme”.


“Ka qenë një interesim normal. Kam zhvilluar takime me ta, dhe kam shprehur opinionin tim”, tha Thaçi gjatë një interviste për Radio Televizionin e Kosovës. “Ne duhet të jemi gjithmonë mirënjohur për interesimin që shfaq komuniteti ndërkombëtar, por, në fund të fundit, vendimet janë të njerëzve të zgjedhur nga populli”, është shprehur presidenti kosovar. “Deputetët i japin llogari vetëm votuesve të tyre para së gjithash, dhe shtetit të vet”, ka thënë Thaçi.


I pari i vendit ka ripërsëritur qëndrimin e tij se do ta nënshkruante një vendim të Kuvendit për zhbërjen e Gjykatës Speciale. Sipas tij, iniciativa për zhbërjen e kësaj gjykate nuk është kundër drejtësisë, dhe kjo çështje nuk duhet dramatizuar.
(ed.me/BalkanWeb)