Gjykata Themelore në Prishtinë të martën ka caktuar masën e arrestit shtëpiak prej një muaji për pjesëtarin e organizatës terroriste ISIS, K.H., pasi dyshohet për veprat penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”.

K.H. dyshohet se në muajt shtator dhe tetor të vitit 2016, si pjesëtar i ISIS-it dhe sipas udhëzimeve të ish-udhëheqësit të shqiptarëve në Siri, Lavdrim Muhaxheri, së bashku me disa persona të tjerë “kishin përgatitur sulme terroriste në territorin e Ballkanit dhe atë së pari në Kosovë, kishin planifikuar që të sulmojnë ndërkombëtarët dhe institucionet e sigurisë, me qëllim që duke luftuar seriozisht të frikësojnë popullsinë, të destabilizojnë dhe të shkatërrojnë strukturat themelore politike, kushtetuese, ekonomike dhe sociale të shteteve të ndryshme”.

Sipas Gjykatës, qëllimi i tyre më pas ishte të krijonin shtetin islamik “Iraku dhe Levant”.

I pandehuri K.H, sipas vendimit të Gjykatës, obligohet që të qëndrojë në vendbanimin e tij dhe në asnjë mënyrë pa leje të gjykatës nuk guxon të largohet nga shtëpia, ndërsa mbikëqyrjen e masës së arrestit shtëpiak do ta bëjë Policia e Kosovës.

“Nëse i pandehuri nuk i përmbahet kësaj mase, masa e arrestit do të zëvendësohet me masën e paraburgimit, po ashtu është obliguar Stacioni Policor që  për mos respektimin e kësaj mase nga ana e të pandehurit K.H, të lajmërojë Gjykatën Themelore – Departamentin Special në Prishtinë”, vijon njoftimi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb