Nga: AGRON LISI*
SHKODER- Gjykata e Shkodrës rrëzon prokurorinë për ish-drejtuesin e Prokurorisë së Rrethit Pukë, Pëllumb Prençi, i cili po gjykohet për akuzën e korrupsionit, nën masën e sigurisë “Arrest shtëpie”. Ai u arrestua disa ditë më parë nga policia, pasi u gjet jashtë ambienteve të banesës së tij, ndryshe nga sa kishte urdhëruar gjykata në vendimin e saj. Arrestimi i policisë u konsiderua i ligjshëm nga Prokuroria e Shkodrës, e cila iu drejtua gjykatës me dy kërkesa. Njëra për caktim mase arresti për ishprokurorin dhe tjetra për gjykim të drejtpërdrejt të tij, për akuzën e largimit nga vendi i qëndrimit, pra largimi nga arresti shtëpiak. Gjykata nuk e pranoi fare arrestimin e bërë nga policia, edhe pse prokuroria e konsideroi që në krye të herës të ligjshëm, pasi Prençi sikurse argumentohet në dosjen e prokurorisë, u gjet larg vendit që gjykata i kishte caktuar për të qëndruar. Në këto kushte thanë burimet, ndaj ish-prokurorit Prençi nuk do të ketë gjykim për largim nga vendi i qëndrimit. Ai do të vijojë të qëndrojë në “Arrest shtëpie”, sikurse ka vendosur më herët gjykata, pasi është në gjykim për akuzën e korrupsionit pasiv, për atë që u konsiderua si skandali i drejtësisë në Pukë.
SKANDALI I PUKËS
Ish-drejtuesi i Prokurorisë së Pukës, Pëllumb Prençi, u përfshi në skandalin e transmetuar nga emisioni “Fiks Fare”, ku kancelarja dhe sekretarja e Gjykatës së Pukës shfaqeshin në një video duke numëruar para, që ishin dhënë si ryshfet nga një qytetar. Ky i fundit kishte paguar miliona me qëllim që drejtuesit e institucioneve të drejtësisë, prokurori e gjykatësi të firmosnin për lirimin nga burgu të një të afërmi të tij, i cili gjendej në burg, për akuzën e tubimit të paligjshëm. Kancelarja e Gjykatës Pukë, Meliha Kuka, sekretarja gjyqësore, Liljana Shkau, shfaqeshin me zë e figurë, duke ndarë paratë për llogari të krerëve të institucioneve. Për skandalin u arrestuan shtatë persona, mes të cilëve kancelarja e Gjykatës Pukë, Meliha Kuka, sekretarja gjyqësore Liljana Shkau, avokatët Fariz Xhurxhi dhe Fran Dashi, si dhe D. Prençi, i dyshuar si sekser. Ish-drejtuesi i prokurorisë Prençi dhe ish-kreu i gjykatës, Shtjefën Lleshi u shkarkuan nga funksionet e tyre. Të dy po gjykohen për akuzën e korrupsionit. Në një kohë që disa prej personave të përfshirë në skandal i kanë mbyllur hesapet me drejtësinë, pasi i kanë shlyer masat e dënimit.
(ma.ar/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: