Gjykata Administrative ka rrëzuar padinë e deputetit të PDIU Aqif Rakipi ndaj KQZ-së pas vendimit për ta shkarkuar si subjekt i dekriminalizimit. Rakipi e cilësoi të padrejtë shkarkimin dhe kërkoi rikthimin e mandatit.

Por Gjykata e ka cilësuar të drejtë vendimin e KQZ duke argumentuar se deputeti Rakipi fshehu problemet me drejtësinë që kishte në Itali. Në vendim thuhet se Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendos rrëzimin e padisë dhe se kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 15 ditëve në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë. Vendimi është dhënë më 17 dhjetor të vitit 2018.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

“…Gjykata çmon se vendimi Nr.4, dt. 05.01.2018 i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, është një akt administrativ i nxjerrë në përputhje me ligjin nr.138/2015 ‘Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike’, dhe si i tillë duhet lënë në fuqi.
Për rrjedhojë kërkimet e palës paditëse duhen rrëzuar, si të pabazuara në ligj dhe prova. Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor të kësaj çështje, gjykata arrin në konkluzionin se padia e paraqitur prej paditësit duhet rrëzuar si e pabazuar në ligj dhe prova”, thuhet në vendim.

Në qershor të vitit të kaluar KQZ miratoi me 5 vota pro për heqjen e mandatit të Rakipit, sipas kërkesës së Prokurorisë në kuadër të ligjit për dekriminalizimin.
Në raportin e Prokurorisë shkruhej se deputeti Aqif Rakipi është ndaluar në Itali për vjedhje në 3.11.1998 nën emrin Skënder Ejylbegaj dhe këtë ai s’e ka deklaruar në formularin e vetëdeklarimit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb