Gjykatësja Aileen Cannon në Florida pushoi të hënën çështjen gjyqësore me akuza penale ndaj ish-presidentit Donald Trump për mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara. Kjo është një tjetër fitore e rëndësishme ligjore për kandidatin republikan për president.

Gjykatësja Cannon, e cila u emërua në këtë detyrë nga ish-presidenti Trump gjatë mandatit të tij, vendosi se prokurori i posaçëm Jack Smith, i cili drejton hetimin, ishte emëruar në mënyrë të paligjshme në këtë rol dhe se ai nuk e kishte autoritetin ligjor për të ngritur një padi të tillë.

Kjo është një arritje e rëndësishme ligjore për ish-presidentin Trump, që vjen pasi më 1 korrik Gjykata e Lartë vendosi se ish-presidenti gëzon imunitet nga hetimet për shumë nga veprimet e ndërmarra gjatë kohës që ishte në detyrë.

Gjasat janë që prokurorët do ta apelojnë vendimin. Në çështje të mëparshme gjyqësore, gjykatat kanë vendosur në favor të autoritetit të Departamentit të Drejtësisë për të caktuar prokurorë të posaçëm për çështje hetimore me rëndësi politike.

Por vendimi i gjykatëses Cannon e vë në pikëpyetje të ardhmen e kësaj padie, që ishte një sfidë serioze ligjore për ish-presidentin Trump. Prokurori Smith ka paraqitur padi ndaj ish-presidentit Trump edhe në gjykatën në Uashington, në lidhje me përpjekjet për të rrëzuar rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020. Sidoqoftë, avokatët e tij nuk kanë bërë një kërkesë të ngjashme për të sfiduar rolin e prokurorit edhe për këtë çështje.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb