TIRANE– Deputetja e Partisë Socialiste Blerina Gjylameti ka akuzuar kryetarin e PD-së Lulzim Basha se po përdor për fushatë elektorale largimin e shqiptarëve drejt BE-së. Në një deklaratë për mediat nga selia roze, Gjylameti tha se Basha nuk shqetësohet për problematikat e shqiptarëve, por për interesat politike.

Sipas deputetes socialiste, kreu i PD synon të krijojë destabilitet që nxit edhe më shumë largimin e shqiptarëve nga vendi.

DEKLARATA E DEPUTETES BLERINA GJYLAMETI
Lulzim Basha nuk ka hallin e shqiptarëve, por i shfrytëzon ata për interesat politike të Partisë Demokratike. Një politikan i përgjegjshëm sot duhet të qetësonte qytetarët, por Lulzim Basha i ka tradhtuar qytetarët, ndaj tenton të nxisë destabilitet përmes retorikës që synon të nxisë largimin e sa më shumë njerëzve nga vendi.

Kjo retorikë e Lulzim Bashës nuk i shërben Shqipërisë dhe as nuk ndihmon shqiptarët.

Është për të ardhur keq Kryetari i Bashkisë së Tiranës që për 4 vjet tradhtoi qytetarët dhe nuk mbajti asnjë premtim, sot gjen kurajën për të bërë fushatë, e për më tepër të bëjë fushatë me një temë kaq antikombëtare.

Nuk flet për rrugët e pandriçuara dhe plot gropa në Tiranë që në katër vitet e fundit nuk e kanë ndjerë dorën e Bashkisë dhe sot i bëjnë qytetarët e pasigurtë. Nuk flet për premtimet e pambajtura për më shumë punësim, më shumë parqe, për tramin e Tiranës që është vetëm në ëndrrat e Lulzim Bashës.

Tashmë që Lulzim Basha u tërhoq i trembur nga rikandidimi, çdo shqiptar e ka marrë vesh se edhe vetë Lulzim Basha nuk i beson premtimeve që bën.

Është paaftësia e Lulzim Bashës në çdo detyrë që ka patur arsyeja pse ai ndërron kaq shpesh pozicione. Duke mos ditur të bëjë asgjë, nuk i mbetet gjë tjetër veçse të tentojë diçka të re, pasi nuk ka asnjë shans të përballet me ndonjë arritje në detyrat e mëparshme.

Sa i përket rastit në fjalë, shifrat e institucioneve shqiptare dhe partnerëve ndërkombëtarë tregojnë se situata është nën kontroll dhe një përmirësim i dukshëm është ndjerë dita ditës sa i takon çështjes së largimeve.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb