TIRANË- Partia Socialiste ka reaguar pas deklaratave të Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Arben Ristani për Policinë e Shtetit duke i quajtur sulme për të përbaltur punën e saj. Deputetja e PS-së, Blerina Gjylameti tha se “pushtetarët e djeshëm të rrënimit nuk e kanë dot sot, moralin opozitar për të folur për shtet ligjor e për barazi para ligjit, sidomos në vigjilje të përvjetorit të 21 janarit”.

“Sulmet e Partisë Demokratike ndaj Policisë së Shtetit janë kthyer në sulme të përditshme, pavarësisht aksioneve të suksesshme; të cilat kanë çliruar Lazaratin nga prodhuesit dhe trafikantët e drogës; kanë ulur numrin e aksidenteve rrugore; kanë rritur zbulueshmërinë e krimeve. Janë sulme, që synojnë të përbaltin imazhin dhe punën e Policisë së Shtetit, që nuk po bën asgjë tjetër veçse po zbaton ligjin, në mënyrë të barabartë për të gjithë”, deklaroi Gjylameti.
Ajo tha se në qeverisjen e kaluar policia kishte degraduar dhe Shqipëria zhytej në listat e zeza të vendeve të drogës. “Ndërkohë shqiptarët e kanë ende të freskët se si kishte degraduar Policia e Shtetit për tetë vjet rresht; se si Lazarati sfidonte shtetin, ndërkohë që Shqipëria zhytej në listat e zeza të vendeve që prodhonin e trafikonin drogë”, u shpreh deputetja e PS.

Gjylameti vuri në dukje mbështetjen që PS-ja ofron për Policinë e Shtetit në luftën e saj kundër krimit dhe se bashkohet me opinionin kombëtar e ndërkombëtar që vlerëson punën e policisë.

“Megjithatë, opozita ka të drejtën të zgjedhë rrugën e vet, por Partia Socialiste e inkurajon Policinë e Shtetit për të vazhduar luftën e nisur ndaj krimit, trafikut, informalitetit. Ne bashkohemi me të gjithë opinionin publik kombëtar e ndërkombëtar që çmon ndryshimet dhe rezultatet e arritura nga Policia e Shtetit. Të vetëdijshëm se vendi ynë nuk është ndryshe nga vendet e tjera të Europës dhe se në Shqipëri ka mjaft probleme që lidhen me shkeljen e ligjit, ne jemi të bindur se duke mbështetur pa kursim Policinë e Shtetit dhe duke mos i politizuar aksionet e saj, problemet mund të lehtësohen dhe mjedisi më i sigurt për qytetarët dhe sipërmarrësit shqiptarë e të huaj do të jetë realitet i përditshëm”, tha Gjylameti në përgjigje të akuzave të PD-së.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: