TIRANË- Një prej të pandehurve të grupit të Imamëve që akuzohen për rekrutim të myslimanëve për luftën në Siri, ka kërkuar gjatë seancës së sotme gjyqësore ish-kryeministrin Sali Berisha si dëshmitar. Bëhet fjalë për Oriol Reçin, i cili ka kërkuar që Berisha të flasë për akuzat ndaj regjimit të Assad. Por Gjykata e ka rrëzuar kërkesën e Reçit.

Në Gjykatën e Krimeve të Rënda është lexuar sot kërkesa për gjykim për grupin e imamëve, të cilët sipas Prokurorisë rekrutonin besimtarë për xhihad në Siri. Prokuroria insiston se luftëtarët e rekrutuar nga grupi i Imamëve kanë luftuar në krah të terroristëve.

Nga ana tjetër imamët kanë deklaruar se nuk kanë kryer asnjë vepër penale. “Ne nuk kemi kryer asnjë vepër penale. Na mbron Allahu, respektojmë ligjet e tij”, kanë thënë Imamët.

Ndërkohë sipas SHISH, 15 shqiptarë kanë vdekur në luftën në Siri. Imami i vetëshpallur i Mëzezit, Bujar Hysa nuk i ka pranuar akuzat e ngritura nga Prokuroria, ndërsa ka pranuar se ka përcjellë njerëz në aeroport por jo për terrorizëm. “Nuk pranoj akuzat. Kam përcjellë në aeroport njerëz, por jo për terrorizëm. Kam përcjellë vëllezërit e mi myslimanë me lot në sy”, tha Hysa.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: