TIRANE- Babai i Diamant Rashës që mbeti i vrarë në Siri vitin e kaluar, dëshmoi ditën e djeshme, në seancën gjyqësore ndaj 9 të akuzuarve të dyshuar për rekrutim personash në këtë vend, për veprime terroriste. I thirrur nga Prokuroria për Krime të Rënda për të dëshmuar ndaj nëntë të pandehurve, Shaban Rasha është shprehur para gjykatës se i njihte të gjithë të pandehurit vetëm si besimtarë të fesë myslimane. Babai i Diamant Rashës rrëfeu se dy imamët, Genci Balla dhe Bujar Hysa, i njihte për shkak se kishte shkuar disa herë në xhaminë e Unazës së Re dhe atë të Mzezit për t’u falur.

Ndërsa për të akuzuarin tjetër, Verdi Morava, dëshmitari u shpreh se e njihte pasi ai i kishte kuruar disa herë familjarët për shkak të profesionit të tij si mjek popullor. Ndërkohë, i pyetur nga prokurorja nëse ndonjëri nga të akuzuarit ia kishte dërguar djalin e tij të vrarë tashmë në Siri, ai u shpreh se nuk akuzon askënd për këtë fakt. Madje, Shaban Rasha tha para Gjykatës së Krimeve të Rënda se ishte krenar për djalin e tij Diamant Rasha, që ka rënë shehid në Siri. “I njoh të gjithë të pandehurit që ndodhen në këtë sallë. I njoh të gjithë si besimtarë të rregullt myslimanë, pasi takohemi shpeshherë kur falemi në xhami. Nuk akuzoj askënd nga këta këtu për dërgimin e djalit tim në Siri. Unë jam shumë krenar për djalin tim, Diamantin, që ka rënë shehid në luftë në Siri”, – u shpreh dëshmitari i thirrur nga prokuroria për të dëshmuar në seancën e djeshme, e cila u zhvillua pa replika mes të pandehurve dhe organit të akuzës.

DËSHMITË
Seancën e kaluar, në Gjykatën për Krime të Rënda u paraqit dëshmitari i thirrur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, Besmir Duka. Ky i fundit u shpreh para trupit gjykues se kishte njohje me të pandehurin Fadil Myslimani dhe se e kishte fqinj këtë të fundit në lagjen ku ai banonte. Duka u shpreh se ishte i pandehuri Fadil Myslimani ai që e kishte shtyrë drejt islamit. Po ashtu, ai tha se nuk ishte propozuar nga askush që të shkonte në Siri dhe për të luftuar me vëllezërit e tyre që ndodhen atje, si dhe dëshmitari Duka i tha gjykatës se nuk ka shkuar asnjëherë në Siri.

“Njoh Fadilin, e kam komshi në lagjen ku unë banoj si dhe vëlla mysliman. Mua nuk më ka propozuar asnjë nga të pandehurit për të shkuar e për të luftuar në Siri dhe se nuk kam shkuar asnjëherë atje”, – është shprehur dëshmitari Besmir Duka para togave të zeza në Gjykatën e Krimeve të Rënda, seancën e zhvilluar më 16 qershor. Gjithashtu, dëshmitari rrëfeu edhe momentin kur ishte shoqëruar nga forcat e policisë në komisariat. Ai u shpreh se ishte marrë me forcë nga punonjësit e policisë, dhe se këta të fundit ishin futur me këpucë në ambientet e brendshme të xhamisë kur dhe ai ishte duke u falur.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: