TIRANE

Përcaktohet me short treshja gjykuese që pritet të vendosë për fatin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, nën akuzë për trafik droge e grup kriminal. Ardit Mustafaj, Flora Hajredinaj dhe Irena Gjoka, janë tre gjyqtarët që do të shqyrtojnë dosjen penale të ish-zyrtarit të lartë, i cili akuzohet për favorizim të grupit kriminal Habilaj në trafikun e drogës nga Shqipëria drejt Italisë.

Procesi ndaj Tahirit pritet të nisë brenda pak ditësh dhe do të zhvillohet me procedurë të përshpejtuar. Ish-ministri i brenDshëm kërkoi gjykim të shkurtuar, pa pranuar akuzën, pasi këmbëngul se është i pafajshëm. Bashkë me të, të pandehur janë edhe tre ish-zyrtarët e lartë të Policisë së Vlorës, Jaeld Cela, Gjergj Kohila e Sokol Bode.

Prokuroria për Krime të Rënda i mbylli hetimet më 28 shkurt dhe çoi dosjen e Saimir Tahirit në Gjykatë me akuzën për “Trafikim të lëndëve narkotike” në kuadër të grupit të strukturuar kriminal “Habilaj” dhe “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”. Më 26 mars, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi të nisë gjykimin ndaj ish-ministrit duke mos pranuar pushimin e çështjes.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb