Në 14 dhe 15 prill të vitit 1980 në qytetin e Kukësit u bë gjyqi i hapur ndaj poetit Visar Zhiti, atëherë mësues në një fshat të largët.

Dënohej për fjalën e lirë, për poezitë e tij me burg dhe me heqjen e së drejtës elektorale, të botimit dhe profesionit. Është një gjyq që duket sikur kërkon të vazhdojë me forma të tjera, me po atë akuzë e gjuhë, nga segmente të caktuara “të veglave të mbetura të diktaturës së dikurshme”.

Një ndjesi e tillë mbartet në burgologjitë “Rrugët e ferrit” dhe “Ferri i çarë” të shkrimtarit Visar Zhiti, libra të rëndësishëm, monumentalë, ku tregohet me forcë për burgjet e Spaçit e të Qafë-Barit. Po sjellim një pjesëz në shërbim të kujtesës kolektive si dëshmi, por dhe që të ndërgjegjësojmë për të mos qenë indiferentë dhe të sprapsim sulmet kundër fjalës së lirë që na thotë të vërtetën.

Visar Zhiti, gjatë kohës kur punonte mësues në fshatrat e Kukësit
Visar Zhiti, gjatë kohës kur punonte mësues në fshatrat e Kukësit

COPRA NGA GJYQI… I PAMBARUAR

“Rrugët e ferrit”

I lidhur me pranga, mes dy policëve të armatosur, po prisja në bankën e të akuzuarit, në krye, por anash, në sallën e madhe, bosh të gjyqit. E dija ku më kishin sjellë, në gjykatën e re, në qendër të qytetit. Ngrehinë gri, vazhdimisht e ftohtë si nën erëra. Isha endur rrugëve ndanë saj, ku kalimtarët rralloheshin ose nxitonin t’i largoheshin si të yshtur nga një e keqe.

S’kisha ndjekur ndonjëherë ndonjë gjyq, s’i duroja dot dënimet. I hapur apo i mbyllur do të jetë gjyqi im? Unë kisha thënë: më mirë i hapur. I hapur, sigurisht, tundi kryet hetuesi. Duhej ta shihnin si goditej armiku. Në vendin e lartë kryesor, sipër tryezave me cohë të kuqe të trupit gjykues, që ende s’kishte ardhur, pashë parullat e tmerrshme për luftën e klasave dhe për dënime të pamëshirshme ndaj armikut të brendshëm.

Citatet pushtonin tërësisht ballinën me emrin e Enver Hoxhës poshtë, shkruar me të kuqe, kurse fjala “armik” sterronte, me shkronja të zeza pisë kudo.

…Ku isha unë?

I asgjëkundshëm, buzë një lumi të tretë, as Drini i Bardhë dhe as i Zi, pa realitet. Sepse po dënohesh. Poshtë mbytej Kukësi i Vjetër prej ujërave të liqenit të hidrocentralit, që i kishin dhënë emrin “Drita e Partisë”. Veç mbi mbytje ngrihej Partia. A ta them këtë në gjyq? Edhe Kukësi i Ri po mbytej. Nën diktaturë si…

Po mbytesha unë. Përmbyteshim nga një llum tmerri. …Njëri nga policët e mi u ndërrua me një tjetër, të cilit i dha armën automatike, që, pasi u ul bri meje, e vuri midis gjunjëve ashtu si polici në anën përkarshi. Ngjanin si të ishin pasqyrime dhe unë mes tyre, ujë. Dy armë për mua…

…Një rrapëllimë, si një sulm, revolucion province, më solli në vete. Qenë hapur dyert në fund të sallës së gjyqit, jo andej nga u futëm ne dhe po vërshonin njerëz, me zhurmë, shtyheshin, sa më afër kreut, mundësisht. Kishte nga ata që seç tundnin në duar, ftesat me sa duket dhe mëtonin për vende më të mira në spektaklin e zi.

Pra, s’kishte asnjë rebelim, protestë. As kryengritje. Të gjitha këto populli im i kishte harruar, i përkisnin një lloji tjetër arkeologjie. Ndjeva dallgë. Radhët dallgë-dallgë po mbusheshin me fytyra të dëshpërimit të gëzueshëm.

– S’lejohet të shohësh nga salla, – më urdhëroi polici…

– Se mos ka ardhur ndonjë nga familjarët e mi. Si e ka rregulli, lajmërohen?

– Afishohen datat e gjyqeve në korridorin e Gjykatës.

– Po sa është data sot? – u interesova befas.

– 14 prill.

(- Pranverë tamam.)

– Të gjyqeve politike, jo, nuk lajmërohen, – ndërhyri polici tjetër.

– Pse politikan është, kaq i ri? – u ngurtësua polici që s’dinte gjë ç’isha unë.

Njerëzit zhurmonin si në kinema, sikur do të kishte shfaqje estrade. Kulmi, filloi dhe loja. Një të marri, çdo qytet ka lolon e vet, të cilin e ngacmojnë të gjithë, të kënaqur që s’janë si ai, por më keq, ia rrëmbyen kapelën nga koka dhe ia hidhnin sa nga njëri te tjetri, nga skaji këtej i sallës në skajin andej dhe ai kërcente mbi karriget tutje-tëhu. Rendte. Donte kapelën e tij fluturake.

la-stampa-visar-zhiti-n-euml-luft-euml-me-spektrin-e-hoxh-euml-s_hd

Kur i qëlloi të turrej jo shumë larg nga podiumi i vogël me parmakë si ballkon, ku rrinim unë me policët e mi anash, ndali dhe më pa me sytë e sëmurë. Uli kokën dhe s’e kërkoi më kapelën. Siç duket, e kuptoi, ka raste kur kapela është një turp. Dhe jo vetëm ajo.

…midis rreshtave, në rruginat e vogla, kishin shtuar karrige, kurse nga fundi rrinin dhe më këmbë. Ja, një grup i pikëlluar fëmijësh, nxënës të mi. Kokulur, të urtë. Mbase besonin se makina qethëse e shtetit i kishte ngulur dhëmbëzat e vet edhe te mendimet e mia, te metaforat, idetë, i kishte bërë zero dhe trutë. Njëri nga ata ngriti kokën për të më parë, a isha i tëri, a i kisha të gjitha gjymtyrët, a kuptoja dhe, kur i shkela syrin, aq shumë u çmerit, sa filloi të lajmëronte dhe të tjerët, duke i shkundur, seç u thoshte dhe ata sikur shkrinin nga një ankth.

“Ngri-shkri” është dhe një lojë, më duket. …Përtej kolegët e mi, tepër festivë, si në piknik, si në oborr të shkollës.

– Çohu! – dëgjova të më urdhëronte njëri nga policët.

Ata, bashkë me gjithë njerëzit në sallë, qenë ngritur në këmbë. Zhurmat e fundit ranë si suva muresh, si korniza nga një tërmet i pritshëm. Po hynte trupi gjykues…

Gjykatësi, i akullt i tëri, i mësuar me mynxyra, pasi bëri shenjë të uleshim të gjithë, u kthye nga unë dhe më duket se pyeti në isha dakord të më gjykonin ata:

– Mërgim Dragushi, gjyqtar, me Hamit Dungën dhe Ymer Bashën, ndihmësgjyqtarë?

– Po. Njëlloj është për mua, nuk ju njoh, – thashë.

– Mos rri ashtu, – më urdhëroi polici me zë të ulët. S’duhej të dukesha krenar.

– Ke të drejtën e fjalës, – më tha gjykatësi me zë të lartë, por që s’ishte dot i lartë dhe salla duhej të mbante qetësi, nëse do të donin të dëgjonin.

– Ke të drejtën e mbrojtjes, – po vazhdonte ai dhe mund të mbaja shënime, por s’duhej të bërtisja, as të shaja. Ndryshe gjyqi zhvillohej edhe pa praninë time… S’e di a iu dha fjala prokurorit apo vetë e dinte radhën, ai u ngrit më këmbë, atje pas tryezës së tij të vogël, në anë të trinisë së përbindshme gjykuese, ballë për ballë me mua.

Ashtu trupmadh, pa shprehje në fytyrë, si i zbrazur nga fryma, me flokë të shkurtër, por të hirtë e të butë, të shtrirë përpara si të xhelatëve klasikë, po ai xhup i trashë me kafshë te jaka si e mbërthyer e gjallë, nisi të lexonte, keq, shumë keq, me gabime të trasha ortoepike, akuzën, kopjen e zbehtë, të së cilës unë e mbaja mbi gjunjët që më dridheshin.

Përgatitur nga Nexhat Selimi, kryexhevapnxjerrësi me hu i oborrit të Enver Pashait. Ishte po ajo, autopsia a aktekspertiza e dy (sh)krimtarëve, sozitë e të cilëve, gjoja si punëtorë a ndihmësgjyqtarë, i shihja aty, në krye.

…Po dëgjoja të flitej për poezinë, pra, gjendja duhej të zbutej, të zhdramatizohej disi, por ajo u bë më absurde, sharëse dhe e egër. Kisha shkruar me qëllim të keq politik, nxija realitetin, isha hermetik, dekadent, pesimist, doja të çoroditja mendjet e njerëzve, që Partia i kthjellon. Shikoni deri ku arrin, kërkoja diell të dytë, a është parë e dëgjuar kjo?

Kisha dalë kundër Partisë, herë hapur dhe herë s’guxoja nga frika e popullit, por fshihesha pas… metagaforeve armiqësore, edhe kundër udhëheqësit të lavdishëm me poezinë “Sfinksi” etj., kundër klasës punëtore që ky armik te poezia “Lustraxhinjtë” shkruan se janë te këmbët, është kundër socializmit dhe realizmit socialist.

Mbrojtës i klasave të përmbysura, të cilave dhe u përket, kisha bërë thirrje të hapur për kryengritje dhe për përmbysje si te poezitë… nuk dëgjoja dot më, ndërkohë sa keq lexonte prokurori, të vinte të protestoje! Ju lutem, lexojini mirë poezitë e mia, ky është tjetër dënim! Pastaj u hodh te lidhjet e mia armiqësore, me të gjallët dhe me të vdekurit, rrëmujshëm, që kur isha student, me poetin e burgosur Frederik Rreshpja, por dhe me poetin revizionist sovjetik Jevtushenko, donim dhe ta përkthenim, me priftin reaksionar dhe poetin antibolshevik Gjergj Fishta, lidhjet e mia vazhdonin me francezin Bodler, dekadent i shpallur, kompozitorin reaksionar gjerman Wagner, me hermetikun italian Ungareti, me anglezët dhe arrinin deri në Japoni.

I shtrembëroi mizorisht të gjithë emrat. Me siguri e bënte dhe me qëllim, jo se s’ishte aq i trashë, por për të thënë se ata aq vlerë kanë për ne, s’na duhen, kemi Partinë. Dhe pa çarë kokën për homoniminë në shqip e përsëdyti emrin e poetit Takuboku, duke thënë “taketukja”…

Gjykatësi pa nga unë dhe u kthye nga salla si për të marrë lejen e popullit.

– I pandehur, e pranon akuzën? – pyeti ftohtë.

Brenda heshtjes u vorbullua një heshtje tjetër, më e thellë, përpirëse e tëra. U ngrita më këmbë:

– Jo, nuk e pranoj, natyrisht!… Gjyqi juaj është dhunë, duhet gjyq tjetër. Gjyq për gjyqin…

– Kalojmë me dëshmitarët, – thirri gjykatësi.

…Tani po më dridhej i gjithë trupi. Dukshëm. Nuk i mposhtja dot. S’kisha folur kurrë para kaq shumë njerëzve. Më hutonte dhe drita, dhe salla e pamatë. Ndryshe është klasa me nxënësit. Jam dhe i qethur. Ashtu i kafkët, fjalët e mia do të duken sikur nuk i përkasin më botës së të gjallëve, por thjesht një makthi të një dite gjyqi dhe aq. S’më duhej asnjë rol, përveç ai i vetes dhe i së vërtetës sime.

– Zoti gjykatës, zotërinj të pranishëm, zoti prokuror! Është vuajtje të flasësh siç jam unë i shtrënguar ta bëj.

– Ke qenë i cenuar, je prekur i pandehur? – më pyeti gjykatësi.

– Uria, minjtë. I mbyllur… S’kishte nevojë për tortura të tjera. Mjafton dhe kërcënimi. Ënjtja, veshkat. Trysni psikologjike dhe shpirtërore, po, vazhdimisht. Por ajo që më shkatërron, është se me mua duan të sajojnë armikun, jo se e kanë zbuluar.

Nuk ka asnjë provë serioze që ju të merrni kurajën të dënoni një jetë. Poezitë e mia, që dikush i quan armiqësore, së pari, nuk janë të tilla, sepse nuk mundin, nuk është ky misioni i çdo poezie qoftë, përkundrazi.

Së dyti, poezitë e mia ende s’janë libër, s’kanë lexues dhe nuk i kanë bërë kurrkujt agjitacion dhe propagandë kundër Partisë dhe shtetit. Prokurori u ngrit vrikthi më këmbë, se ç’donte të thoshte, por gjykatësi i bëri shenjë me dorë që të mos më pengonte… Në sallë filluan mërmërimat. Prita sa mbaruan.

Gjykatësi s’deshi të ma jepte fjalën prapë, por mua më duhej të thosha, e kisha vendosur:

– Me 100 lepuj nuk formohet dot një kalë, me 100 supozime nuk formohet dot një provë. Kështu thotë një proverb, – dhe nuk shtova: anglez.

– Ju doni të më dënoni me supozime.

– I pandehuri, – kërceu prokurori – është kundër tufëzimit të bagëtive, e dëgjuat.

– …kundër është ky gjyq!

– Më kapi një dhembje koke më keq se në qeli. Prokurori po lexonte pjesë nga ditari im, pashë që ia zgjati hetuesi nga radhët e para të sallës, ndalte te fletët e përthyera. Ato që s’i kuptonte, i mbulonte me të thirrura.

“…hapëm gropa si varre të vegjël… nxorëm patate e futëm brenda të shtunën tonë të masakruar… Një mollë hëngri Adami me Evën dhe i përzunë nga Parajsa. Përditë ha mollë të egra këtu unë (kemi mbetur pa bukë, s’ka…) dhe s’po i shpëtoj dot kësaj parajse të tmerrshme…” Flaku ditarin…

Njerëzit ishin nemitur. Dallgët e kokëve hidhnin shkëndijime sysh me habi gojësh që shuheshin pa mbërritur të gjitha tek unë. Ndjeva se po më rrallohej ajri përreth. E kotë, thashë me zë. Pranoje hëpërhë mynxyrën ashtu siç të vjen batërdi e pandreqshme…

-Do të lypësh mëshirë, i pandehur? – pyeti gjykatësi, duke më parë më gjatë, por gjithmonë i akullt. E kishin shumë qejf dhe mezi e prisnin rënien e kundërshtarit te këmbët, të mposhtur, që kërkon mëshirë. M’u fanit arena, e qarkuar nga pafundësia e duarve me gishtin e madh poshtë, duke e tundur në kërkim të dënimit.

Por populli im s’ka duar të lira, i ka të lidhura me zinxhirë, po thosha me vete, me poezi të papërfunduara dot. Komunistët nuk e njohin mëshirën. Ata njohin veç një dorë, atë që i udhëheq drejt dhunës.

– Jam mësues, – ngrita zërin tim të lodhur, – pra, pishtar drite, – dhe heshta.

(Mos duhej të shtoja “siç thotë Partia”?) (Ishte sforcimi i fundit.)

– Dhe, si i tillë, – vazhdova, – kam flakën time, por edhe tymin tim… Nuk duhet ta shuajmë flakën… me gjyq.

– Dhe heshta mes heshtjes së rëndë si rërë. S’kuptova ç’përshtypje bëra, por më erdhi keq për veten, m’u duk se pata shpresë për një çast. Trinia gjykuese, duke kthyer kokët nga njëri-tjetri, i afronin, se ç’mërmëritnin duke mbuluar fjalët me pëllëmbë ose me ndonjë fletore nga të miat, që i kishin marrë për provë, nëse do të duhej t’i përdornin, vendosi të tërhiqej mënjanë. Gjykatësi nuk urdhëroi të m’i hiqnin prangat, por shkurt dhe thatë tha:

– Gjyqi do të vazhdojë nesër…

VENDIMI

Nuk po lëvizte asgjë, veç po përsëritej si në ankth dita e djeshme, prangat, makina, salla e gjyqit, banka e të akuzuarit, trinia e inkuizicionit (Minosi, Eakusi, Radamanti, kështu quheshin? Po, po, këta janë gjyqtarët e botës së përtejme!), prokurori, policët e mi, të pranishmit në sallë, patjetër dhe i akuzuari, unë dhe jo unë, turma e nemitur dhe nuk po e përjetoja, jo, isha përtej asaj vorbulle të vdekur, jashtë kufomës sime, shpirt, po i këqyrja të gjitha me një ftohtësi të nxehtë, pa i kuptuar pse bëheshin, përse duheshin.

Gjykatësi në këmbë po lexonte atë që lexoi prokurori dje dhe ne në këmbë po dëgjonim. Poezia ime po më fuste frikën tani. Ajo paskësh qenë një bombë shkatërrimtare, që, mbi të gjitha, donte të hidhte në erë shtetin dhe Partinë. Po unë do të flas? Çfarë do të them apo nuk vlen asgjë? Dëgjo, dreqi e marrtë, se janë për ty këto:

…Vepra kriminale e të pandehurit paraqet rrezikshmëri të theksuar shoqërore, sepse drejtohet kundër shtetit të diktaturës së proletariatit. Në masën e dënimit gjykata ka parasysh rrezikshmërinë e theksuar shoqërore të veprës kriminale, rrezikshmërinë shoqërore të vetë të pandehurit, i cila ka vazhduar për një periudhë të gjatë në rrugën kriminale me gjithë vërejtjet që i janë bërë herë pas here, ka parasysh origjinën e tij shoqërore, arsimin dhe moshën e të pandehurit.

Për këtë arsye Gjykata duke u bazuar në nenet 249-159 të K.Pr.P.

Vendosi

Të deklarojë fajtor të pandehurin Visar Zhiti për agjitacion e propagandë kundër shtetit dhe në bazë të nenit 55/1 të K. Penal e dënon me 10 vjet heqje lirie…

Vuajta e dënimit i fillon nga data që është arrestuar.

Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen të pandehurit

…………………………………………………………

Sekretari Gjyqtari

Rexhep Gashi (Firma)

Mërgim Dragusha (Firma)

Dhe vula në mes si gropë e zezë që të hedh në ferr…

Nuk po e ndieja që po m’i shtrëngonin duart me pranga.

* * *

Edhe nëse prangat e diktaturës së dikurshme janë të ndryshkura, ka ende mendësira të atilla, akuza si atëherë, veprime të dhunshme dhe arrivizëm diktatorial që arrin edhe kreun e shtetit…

Dhe vërtet, poezia mbetet përgjigja e vetme, që edhe ajo duket si e mënjanuar dhe e nëpërkëmbur?!

Burimi: http://www.panorama.com.al/cfare-ndodhi-38-vjet-me-pare-ne-kukes-gjyqi-i-visar-zhitit-akuza-ka-dale-kunder-partise-kerkon-diell-te-dyte/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: