Edith Harxhi, ish-zëvendës ministre e Jashtme, e ftuar sot në “Kjo Javë” në News24, foli lidhur me gjyqin në Hagë për ish-liderët e UÇK-së. Ajo u shpreh se ky është një proces i padrejtë dhe që përbalt një pjesë të lavdishme të historisë së shqiptarëve.
“Është një proces i padrejtë sepse hedh baltë në një pjesë të historisë për popullin shqiptar që për ne do mbetet e lavdishme. Jemi një vend që si një shtet demokratik, jemi palë e drejtësisë ndërkombëtare. Sot po kuptojmë që sa më tepër të mundohen të na bëjnë presion nga jashtë, duhet të dimë si të tregohemi vende sovrane, dhe Kosova nëse do kishte shpjeguar që atëherë se cilat ishin qëllimet e Dick Marty, dhe cilët ishin ata që kishin shkaktuar një dramë të madhe, nuk do të ishim sot këtu. Zoti Thaçi në një farë mënyrë mundohej që fajin për të gjithë këtë, u mundua të thoshte se kam qenë drejtues politik dhe nuk ka drejtuar nga terreni. Në një farë mënyrë e zhvendosi veten nga lideri i UÇK, dhe ishte një moment që uroj të ishte për arsye të gjykimit dhe konfuzionit se kush janë viktimat dhe kush sulmuan. Duhet të ketë një lloj kohezioni, dhe vetë Thaçi, nuk e ka menduar ne 2015 që do të ndodhte kjo, se jam e sigurt që do kishin vepruar krejtësisht ndryshe. Mendoj dhe uroj që ky gjyq do të përfundojë dhe do ta nxjerrë Kosovën ashtu siç është, e bardhë”, tha ajo.
Ndërkohë, ajo ka komentuar edhe gjyqin e ish-presidentit të SHBA, Donlad Trump, ku tha se duhet si një proces politik.
“Gjatë viteve të fundit duket një ndërhyrje e madhe në sistemin e drejtësisë. Përplasja e kampeve politike në SHBA kanë sjellë probleme politike në gjithë botën. Nuk besoja që në momentin që Trump u largua pas 6 janarit nga drejtimi i SHBA, që ai do t’i shpëtonte një lloj gjykimi të së majtës, ndaj them se është proces politik, kur ka nisur fushata dhe ai ka deklaruar se do kandidojë për zgjedhjet brenda republikanëve dhe më pas për ato presidenciale”, u shpreh Harxhi. .
Hardhi komentoi shkurt edhe rolin e ambasadorëve në vendin tonë, kur tha se këta të fundit nuk duhet të dinë cakun se ku mbaron misioni i tyre diplomatik dhe ku fillon ai politik, për ta shmangur këtë të fundit.
“Trupi diplomatik në përgjithësi duhet të jetë më i angazhuar që të përligjë vendimet e Konventës së Vienës. Duhet të dinë patjetër cakun dhe kufirin ku mbaron dipilomatikja dhe ku fillon politikja, në Shqipëri këto limite janë thyer”, tha ajo.