TIRANË- Tre prej të akuzuarve, si pjesë e grupit të xhihadistëve, mbi të cilët rëndojnë akuzuat për rekrutim dhe dërgim të besimtarëve myslimanë shqiptarë për xhihad luftarak në Siri kanë kërkuar sot pafajësi në gjykatë.

Në sallën e gjyqit janë dëgjuar sot pretendimet e të pandehurve Verdi Morava, Astrit Tola dhe Orjon Reçi.

Astrit Tola ka deklaruar se akuzuat që rëndojnë mbi të janë të pabaza. “Nuk kam lidhje me akuzat, jam besimtar mysliman”,- ka theksuar ai.

Ndërsa Verdi Morava i cilësoi akuzat ndaj tij të pabaza dhe qesharake. “Jam këtu për shkak të besimit tim mysliman. Kryeprokurori Llalla e ka pranuar që nuk jemi grup. Ne njihemi nga xhamia nuk ekziston mes nesh grup”.

Sakaq, raportohet se familjarët e të akuzuarve që ndiqnin seancën nga afër gjatë kohës së pushimit kanë falur namazin në oborrin e Gjykatës.

Prokuroria kërkoi dënimin e 9 të akuzuarve me 152 vite burg në total. Genci Abdurrahim Balla, i vetëshpallur imam i xhamisë së Unazës së Re, Gert Pashja dhe Bujar Hysa, edhe ky i vetëshpallur imam i xhamisë së Mëzezit, rrezikojnë dënimin me nga 20 vite burg secili.

Sipas prokurorisë, këta të pandehur janë organizatorë të rrjetit të rekrutimit të luftëtarëve shqiptarë, të cilët në vendin e shkatërruar nga lufta, u janë bashkuar dhe luftojnë për llogari të organizatave terroriste si “Al-Nusra”.

Për të pandehurin Zeqir Ymeri, prokuroria kërkoi dënimin me 17 vite burg. Ndërsa, Edmond Balla, Verdi Morava, Fadil Muslimani, Astrit Tola dhe Orion Reçi rrezikojnë dënimin me nga 15 vite burg. Sipas prokurorisë, këta të pandehur kanë luajtur rolin e financuesit apo ndihmësit në grup.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: