Komisioni konstatoi pamundësi financiare të gjyqtarit të Tiranës, Julian Haxhiu në vlerën totale 9.6 milionë lekë, gjetje e cila u kundërshtua nga subjekti me argumentin se nuk i ishin llogaritur të ardhurat e bashkëshortes nga puna në një ambasadë. Ai kundërshtoi dhe konstatimet për kryerjen e disa transaksioneve fiktive me qëllim përfitimin e një kredie të butë.

Gjyqtari Julian Haxhiu i Gjykatës së Tiranës u përball të mëkurën më 5 qershor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime më së shumti për bilancet negative dhe konstatimin për kryerjen e disa transaksioneve në dukje fiktive, me qëllimin mundësimin e përfitimit të një kredie me kushte lehtësuese. Ai këmbënguli se me aktet e dorëzuara dhe shpjegimet vërtetonte burimet financiare të të gjitha shpenzimeve dhe investimeve, si dhe u shpreh se nuk ishte kryer asnjë veprim fiktiv, pasi ai mundej që ta përfitonte kredinë e butë.

Procesi i vetingut për gjyqtarin Haxhiu po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Alma Faskaj, me relatore Pamela Qirkon dhe anëtare Xhensila Pinen. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Ferdinando Buatier.

Julian Haxhiu përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2003 dhe u emërua gjyqtar në Gjykatën e Mirditës. Ai u transferua në Gjykatën e Lezhës në vitin 2008 dhe prej 2011-ës e ushtron funksionin në Gjykatën e Tiranës.

Problemet me pasurinë

Relatorja Qirko renditi gjetje për një sërë transaksionesh të kryera nga subjekti dhe familjarët e tij lidhur me blerjen e një apartamenti në Tiranë vitin 2013, kundrejt çmimit 6.2 milionë lekë, me burim krijimi kursimet në shumën 1.3 milionë lekë dhe kredi 4.8 milionë lekë. Po në atë vit rezulton se Haxhiu ka blerë dhe një garazh me burim të deklaruar kursimet.

Nga hetimi administrativ ka rezultuar se babai i subjektit ka nënshkruar fillimisht një kontratë sipërmarrje për apartament në vitin 2004. Për një pjesë të çmimit të shlyer në 2004-ën janë deklaruar kursimet dhe të ardhurat nga shitja e një apartamenti në Krujë për vlerën 1.5 milionë lekë. Sipas Qirkos, nga analiza e kryer për pagesën e këstit të parë në shumën rreth 26 mijë euro në vitin 2004 ka rezultuar bilanc pozitv.

KPK ka konstatuar një tjetër kontratë porosie të babait të subjektit të nënshkruar në vitin 2005 për blerje apartamenti dhe garazhi. Qirko pohoi se subjekti ka shpjeguar se kontrata e vitit 2005 ishte shtesë e kontratës së vitit 2004 për përcaktimin e katit të apartamentit dhe pasqyrimin e garazhit. Haxhiu ka deklaruar se nuk ka qenë një kontratë e re ajo e vitit 2005. Për pagesat e kësaj pasurie rezulton të jetë marrë dhe një kredi në shumën 1.9 milion lekë në vitin 2006. Subjekti ka shpjeguar se apartamenti është vendosur në përdorim që prej vitit 2007 dhe se për arsye të panjohura prej tij, nuk është arritur të regjistrohet deri në vitin 2012.

Qirko tha se duket që subjekti dhe anëtarët e familjes kanë pasur mundësi për kryerjen e pagesave në vitin 2006, në total rreth 20 mijë euro.

Ndërkohë, në vitin 2013 ka rezultuar se është zgjidhur kontrata e vitit 2005 për apartamentin dhe garazhin, pa pasur asnjë pretendim nga palët. Një tjetër kontratë porosie është nënshkruar në vitin 2013 për apartamentin dhe garazhin.

KPK konstaton se si pasojë e mosdeklarimit të gjendjes cash dhe mospakësimit të likujditeteve bankare, ka rezultuar pamundësi për pagesën e kryer në vitin 2013 në shumën 1 milion lekë.

Qirko vërejti se nga hetimi duket se apartamenti i porositur në vitet 2004 e 2005 është i njëjti i blerë nga subjekti në vitin 2013. Ndërkohë, u relatua se është nënshkruar nga subjekti një tjetër kontratë me rezervë për një apartament.

Hetimit të KPK i është nështruar dhe një kredi me kushte lehtësuese e përfituar nga subjekti në shumën 4.8 milionë lekë. Megjithëse Komisioni ka konstatuar se Haxhiu i plotësonte kushtet për t’u trajtuar me kredi të butë, është konstatuar se në vitin 2012 bashkëshortja i ka dhuruar babait të saj një apartament të blerë para bashkëjetesës dhe detyrës së ushtruar nga subjekti.

Bazuar në këto konstatime, Komisioni ngre dyshime se Haxhiu i ka kryer këto transaksione me qëllim përfitimin e kredisë me kushte lehtësuese. Sipas Qirkos, për këtë arsye duket se është kryer kontrata e porosisë në vitin 2013 ku është shënuar vetëm apartamenti, pasi këto kredi të buta nuk mbulonin blerjen e garazheve.

Ndërkohë, sipas KPK, duket se kredia e butë është përdorur për shlyerjen e një kredie të marrë më parë për një apartament të motrës së subjektit. Qirko tha se, duket se subjekti i rivlerësimit ka kryer veprime që bien ndesh me etikën dhe veprimtarinë e tij si magjistrat.

Nga hetimi i kryer për apartamentin e blerë nga motra e subjektit është konstatuar se kredia e marrë për këtë pasuri, nuk ka shërbyer për pagesat. Lidhur me këtë konstatim, subjekti është pyetur prej Komisionit për burimet që kanë shërbyer për krijimin e kësaj pasurie si dhe për destinacionin e kredisë.

Në vijim, Qirko konstatoi se subjekti rezulton se zotëron ¼ pjesë takuese në një apartament të blerë në Durrës në vitin 2009, me burim kursimet e prindërve, kursimet e tij dhe të bashkëshortes si dhe një kredi.

Prej analizës financiare është konstatuar se subjekti nuk ka pasur mundësi për krijimin e një llogarie bankare në vitin 2008, pasi ka rezultuar me bilanc negativ në shumën 1.3 milion lekë. Në vitin 2009, Haxhiu rezulton të ketë marrë edhe një kredi 2 milionë lekë. Sipas Qirkos, ka dyshime se ky apartament është porositur nga subjekti dhe se ky i fundit ka shlyer dhe gjithë çmimin, por pasuria është regjistruar në emër të babait.

Në seancë u evidentua se babai i gjyqtarit Haxhiu ka blerë një automjet për shumën 400 mijë lekë dhe tre ditë pas nënshkrimit të kontratës, ka lëshuar prokurorë të posaçme që kjo pasuri e luajtshme të përdorej pa kufizime nga subjekti dhe bashkëshortja e tij. Po ashtu, ka rezultuar se babai e ka blerë mjetin nga një avokat që e ushtron profesionin në Lezhë, ku subjekti ka ushtruar detyrën si gjyqtar. Për këto arsye, Haxhiu është pyetur nga Komisioni nëse ka pasur marrëdhënie me këtë avokat apo nëse ka trajtuar çështje ku ai ka pasur interesa.

Qirko tha se nga analiza financiare e përgjithshme për periudhën 2004-2016, familja e subjektit ka rezultuar me bilanc negativ në shumën 9.6 milionë lekë.

Gjyqtari Haxhiu kundërshtoi fillimisht bilancin negativ të konstatuar në analizën financiare paraprake të KPK. Ai theksoi se kjo pamundësi rrjedh nga moskonsiderimi të ardhurave të bashkëshortes nga puna në një ambasadë, prej vitit 2007.

Ai këmbënguli se nuk mund të konsiderohej bashkëshortja përgjegjëse për mospagimin e tatimit në burim të këtyre të ardhurave, pasi ishin detyrim i punëdhënësit. Sipas tij, edhe përgjigjet e institucioneve vërtetonin se bashkëshortja kishte pasur një kontratë pune, pasi rezultonin të ishin paguar sigurimet shoqërore dhe ato shëndetësore nga punëdhënësi.

Haxhiu kërkoi që të konsiderohen këto të ardhura në analizën financiare. Ai, vërejti se nuk janë konideruar të ardhurat nga lejet e lindjes për dy vjet që kërkoi të përfshihen në përllogaritjen e KPK. Po ashtu, kërkoi që të rishikohen shpenzimet e udhëtimeve të punës së bashkëshortes, me pretendimet se kishin qenë të mbuluara.

Në vijim subjekti u ndal në gjetjet për pasuritë. Ai deklaroi se nuk kishte pasur asnjë veprim fiktiv, pasi nuk kishte pasur ndonjëherë qëllim për përfitimin e kredisë me kushte lehtësueese nëpërmjet këtyre transaksioneve, me argumentin se ai i plotësonte kushtet.

Lidhur me apartamentin që bashkëshortja i ka dhuruar babait të saj, Haxhiu shpjegoi se kjo pasuri nuk kishte qenë pronë e saj, por e gjithë anëtarëve të trungut familjar. Ai argumentoi se ai transaksion nuk kishte arsye të ishte bërë për përfitimin e kredisë, pasi me pjesën takuese që zotëronte bashkëshortja, sërish mund të trajtoheshin me kushte lehtësuese. Sipas subjektit, bashkëshortja nuk e kishte përdorur më atë apartament që prej vitit 2007, kur ishte larguar nga familja prindërore.

Haxhiu deklaroi se dhe prenotimi i apartamentit nga babai nuk kishte se si të cënonte kredinë e butë, pasi ishte kryer pjesa më e madhe e pagesave. “Duke plotësuar kushtet kemi dorëzuar kërkesën. Ishte mundësi për të pasur një apartament në pronësinë tonë. Nuk ka rrethana të pavërteta apo shkelje të etikës”, tha ndër të tjera subjekti dhe shtoi se babai kishte punuar tek shoqëria ndërtuese ku ishte porositur apartamenti, si dhe kishte marrëdhënie shoqërore me administratorët.

Sipas subjektit, blerja e apartamentit me kredi me kushte lehtësuese është veprimi juridik nga është bërë pronari i apartamentit të vetëm që zotëron.

Në fund të seancës, relatorja Qirko evidentoi se transaksionet për këtë apartament dhe shpjegimet kishin qenë të paqarta, gjë që u ka marrë dy vjet kohë.

Ajo vërejti se për apartamentin në Tiranë janë nënshkruar katër kontrata që kanë çmime të ndryshme. Sipas saj, dy të parat janë të shpjeguara çmimet e ndryshme pasi ka dhe ndryshim të sipërfaqes, kurse për dy të tjerat të lidhura në janar dhe prill të vitit 2013 fiuron e njëjta sipërfaqe.

Haxhiu këmbënguli se nuk kishte pasur ndonjë veprim fiktiv. Ai tha se babai kishte kryer revokim të kontratës, pasi ishte munduar të rregullonte situatën e motrës që në atë kohë kishte pasur probleme shëndetësore dhe në familjen e saj të re. Sipas tij, për këtë arsye babai ishte kujdesur për të blerë një apartament për motrën.

Lidhur me përdorimin e kredisë së marrë për apartamentin e motrës, Haxhiu tha se nuk kishte kryer ndonjë pagesë dhe se nuk e kishte takuar ndonjëherë palën shitëse.

Për apartamentin në Durrës, subjekti tha se kishin kontribuar të gjithë për atë pasuri. Për bilancin negativ, ai pretendoi se vjen si pasojë e moskonsiderimit të të ardhurave të bashkëshortes.

Lidhur me shitësin e automjetit që përdor, subjekti tha se kishte ikur nga Gjykata e Lezhës, kur ai avokat kishte filluar të ushtronte profesionin atje. Ai shtoi se me avokati kishte njohje për shkak të profesionit me bashkëshorten, pasi punonte si pedagog në Universitetin e Shkodrës.

Gjyqtari Julian Haxhiu mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës. Për profesionalizmin u konstatua se janë evidentuar gjetje në pesë prej 38 denoncimeve nga publiku, për të cilat ai dha shpjegime.

Në përfundim të seancës, gjyqtari Haxhiu kërkoi konfirmimin në detyrë. Komisioni njoftoi se vendimi do të shpallet me datë 7 qershor, në orën 09:45. /BIRN/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: