TIRANE– Gjyqtarja e Apelit ne Vlorë, Brikena Ukperaj (Lubonja) ka kaluar procesin e vettingut dhe është rikonfirmuar sot në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

“Sipas raportit të ILDKPI, Brikena Ukperaj justifikon pasurinë. Ukperaj ka apartament me vlerë 44 mijë euro në Selitë. Edhe sipas DSIK, Brikena Ukperaj e përshtatshme për detyrën”, tha relatorja e çështjes në seancën e kaluar.

Gjyqtarja Ukperaj është bërë e njohur për shkak të dosjes së pronave, “Karaburuni” e gjykuar prej saj.
Kujtojmë se në seancën e kaluar dëgjimore për gjyqtaren e Apelit Vlorë Brikena Ukperaj (Lubonja) në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit ka ardhur edhe një ankimim. Bëhet fjalë për një familje nga Vlora, e cila pretendon pronësinë e dhjetëra hektarëve tokë në Karaburun, por që prej vitesh nuk i është dhënë toka që ata pretendojnë se iu takon. Ata akuzojnë gjyqtaren Brikena Ukperaj Lubonja se ka dhënë një vendim të padrejtë duke shkelur ligjin për çështjen e tyre.

Vjosa Bodo, avokate dhe përfaqësuese e një prej familjeve hodhi akuza në ndaj gjyqtares së Apelit të Vlorës, por ajo sot u konfirmua në detyrë nga KPK.

Gjyqtarja Brikena Ukperaj (Lubonja) e ka filluar karrierën në sistemin gjyqësor në vitin 2006 me mbarimin e Shkollës së Magjistraturës. Ajo ka ushtruar funksionin e gjyqtares në Gjykatën e Tiranës, në atë të Lushnjes dhe prej nëntorit 2016 është anëtare e Gjykatës së Apelit në Vlorë.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb