SHKODËR
Fahri Vejuka, gjyshi i Asmer Bilalit, ish-boksierit që ndodhet në burg i arrestuar si pjesë e grupit “Bajri”, ka një lutje për shtetin. Ndërsa sot përcjell dhëndrrin për në banesën e fundit dhe vëllain e tij, Vejuka kërkon që Asmeri, nipi i tij të qëndrojë për dy ditë në shtëpi për të pritur njerëzit.
I moshuari thotë se në këtë familje ka mbetur vetëm një djalë 23 vjeç shumë i sëmurë ndërsa nga ana tjetër pasi falënderon shtetin që e ka lejuar nipin të marrë pjesë në varrim, kërkon të shikojë këtë familje.
“Shpresojmë që shteti të gjejë autorët e vrasjes sepse është një ngjarje shumë e rëndë që ka ndodhur. Pothuajse është shuar një familje pas kësaj ngjarje dhe institucionet do të bëjnë detyrën e tyre për çfarë ka ndodhur. Asmer Bilali është djali i Astrit Bilalit dhe Asmeri është në burg prej disa muajsh. Ai do të jetë vetëm në varrim por ne kërkojmë që të lihet të paktën dy ditë tek banesa e tij për të pritur njerëzit sepse nuk ka askënd.
Vëllai i tij 23 vjeç është shumë i sëmurë dhe nuk është askush tjetër. Shpresojmë që institucionet të vendosin dorën në zemër dhe të na mirëkuptojnë në kërkesën tonë. I falënderojmë që e kanë lejuar të jetë në varrim por kërkojmë të qëndrojë pak më gjatë, të paktën dy ditë dhe normalisht me prezencën e policisë. Për të tjerat shteti të bëjë detyrën dhe nëse ka bërë diçka mund të dënohet por sot i kërkojmë ta lejojnë të paktën dy ditë që të qëndrojë sepse do dalin dy kufoma nga shtëpia jonë”, tha Fahri Vejuka.
(BalkanWeb)