Mbi 1 miliard veta kanë votuar në vitin 2024. A ka fituar demokracia? Në gjysmën e botës janë mbajtur zgjedhje këtë vit, shkruan The Economist.

Kur amerikanët do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur presidentin e ardhshëm, demokracia do të përballet me provën e saj më të madhe, në një vit kur është vënë përballë disa sfidave të jashtëzakonshme.

Ajo që do të ndodhë në Amerikë (një superfuqi që mishëron lirinë për shumë njerëz), mund të ndikojë në perceptimet mbi demokracitë në mbarë botën. Një rezultat i çrregullt ose i dhunshëm i zgjedhjeve amerikane do të nxiste autokratët kudo në botë dhe do të ulte besimin në idealin e sundimit nga popujt.

Anasjelltas, nëse do të jenë zgjedhje ku humbësi do të pranojë me hijeshi humbjen, siç është zakoni në një demokraci moderne, kjo do të nxiste rimëkëmbje demokratike në disa shtete të botës, sidomos duke pasur parasysh faktin se këtë vit, janë mbajtur zgjedhje në shumë vende të botës.

Këtë vit, 67 shtete, me popullsi të përgjithshme prej rreth 3.4 miliardë banorësh, kanë mbajtur tashmë zgjedhje kombëtare. Deri në fund të vitit 2024, pritet të votojnë edhe 440 milionë qytetarë të tjerë në botë. The Economist ka vërejtur edhe më parë se ky vit do të ishte një “provë e stërmadhe për botën demokratike”.

Në fund të fundit, në 18 vitet e fundit, numri i shteteve ku liria ka rënë në fusha si votimi, media e lirë dhe shtypja e pakicave, ka qenë më i madh se numri i shteteve ku këto liri janë përmirësuar, sipas firmës amerikane Freedom House.

Një në tre njerëz që votuan ose do të votojnë në vitin 2024, jetojnë në një shtet ku cilësia e zgjedhjeve është përkeqësuar ndjeshëm në pesë vitet e fundit.

Lajme të mira e të këqija

Atëherë, çfarë është vënë re deri tani këtë vit, pasi janë hedhur dhe numëruar pothuajse 90% e votave në mbarë botën? Konstatojmë se demokracia ka qenë mjaftueshëm elastike në rreth 42 shtete, zgjedhjet e të cilave ishin në përgjithësi të lira, me pjesëmarrje të mjaftueshme votuesish, manipulime dhe dhunë të kufizuar, dhe pa tentativa për grushte shteti ndaj qeverisë në pushtet.

Sidoqoftë, ka shenja të rreziqeve të reja, si ngritja e autokratëve të rinj, përçarja e votuesve dhe udhëheqës në largim që përpiqen të sundojnë nga përtej “varrit politik”.

Fillojmë me lajmin e mirë. Duke matur mesataren për të gjitha vendet që kanë mbajtur zgjedhje, del se pjesëmarrja në votime është rritur për herë të parë në dy dekada.

Kjo tregon rritjen e përfshirjes së qytetarëve në politikë (shih grafikët 1 dhe 2). Në shtetet që renditen si “demokraci të plota”, pjesëmarrja e votuesve ka qenë e qëndrueshme. Në “demokracitë e meta”, ajo u rrit ndjeshëm, me tre pikë përqindje.

Pjesëmarrja e votuesve u rrit në shumë shtete të botës, duke përfshirë Francën, Indonezinë, Korenë e Jugut dhe Meksikën, madje edhe zgjedhjet e Parlamentit Europian, kishin shkallën më të lartë të pjesëmarrjes që nga viti 2004.

Një arsye e dytë për të qenë optimistë është se përpjekjet për të dëmtuar zgjedhjet, shpesh dështuan. Në fillim të vitit 2024, shumë vëzhgues shqetësoheshin se fushatat e keqinformimit të nxitura nga mediat sociale dhe Inteligjenca Artificiale, mund të mashtronin votuesit.

“Unë nuk shoh shumë prova për këtë”, thotë Kevin Casas-Zamora, nga Instituti Ndërkombëtar për Demokracinë dhe Asistencën Zgjedhore, një organizatë ndërqeveritare.

Përpjekjet për ndërhyrje nga shtetet keqdashëse, duket se kanë pasur efekt të kufizuar. Në Tajvan, votuesit zgjodhën për president William Lai Ching-te, pavarësisht frikësimit kinez.

Moldavia ka luftuar kundër përpjekjeve ruse për të ndërhyrë në zgjedhjet e saj presidenciale dhe në një referendum ku do të vendoset nëse do të përfshihet anëtarësimi në BE në Kushtetutën e vendit. Të dyja janë planifikuar për në 20 tetor. Së fundmi, vendi zbuloi një mashtrim rus prej 15 milionë dollarësh, për blerjen e votave.

Institucionet e pavarura shpesh janë hedhur në veprim për të mbrojtur vlerat liberale. Në Senegal, ambicia e një autokrati për të sunduar për një kohë të pacaktuar, u kundërshtua nga gjykata më e lartë e vendit, e përkrahur edhe nga protestuesit pro-demokracisë.

Pasi u mbajtën zgjedhjet, votuesit zgjodhën për president 44-vjeçarin Bassirou Diomaye Faye, udhëheqësin më të ri të zgjedhur ndonjëherë në mënyrë demokratike në Afrikë.

Në shumicën e vendeve, zgjedhjet u mbajtën në mënyrë paqësore. Duke marrë një kampion prej 27 shtetesh për të cilat ka të dhëna, konstatojmë se protestat dhe dhuna në përgjithësi kanë rënë, krahasuar me zgjedhjet e mëparshme, sipas një analize nga The Economist (shih grafikun 3).

Arsyeja e tretë për të qenë optimistë është se votuesit i kanë mbajtur udhëheqësit e tyre përgjegjës, ose duke i larguar nga pushteti, ose duke ua hequr shumicën parlamentare.

Pushtetarët në detyrë kanë pësuar luhatje në më shumë se gjysmën e zgjedhjeve demokratike të mbajtura deri tani këtë vit (duke përjashtuar ato për Parlamentin Europian).

Në Britani, Partia Laburiste opozitare fitoi shumicën më të madhe të vendeve parlamentare që nga viti 1997. Në Korenë e Jugut, Partia “Pushteti Popullor” u shpërnda në prill, për shkak të akuzave për korrupsion.

Rregullat e Moskës

Në disa ekonomi të mëdha në zhvillim, ku gjendja e demokracisë nuk është shumë e shëndetshme, pushtetarët janë ndëshkuar prerazi nga elektorati.

Votuesit në Afrikën e Jugut, të zemëruar me korrupsionin dhe paaftësinë, i hoqën shumicën parlamentare partisë “Kongresi Kombëtar Afrikan (ANC)”, për herë të parë që nga politika e ndarjes racore e vitit 1994, duke e detyruar partinë dikur mbizotëruese, që të formonte një koalicion për të mbetur në qeveri.

Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, humbi shumicën parlamentare në qershor, pavarësisht se ushqeu nacionalizmin hinduist dhe gëzonte mbështetjen e organeve mediatike. Tani ai duhet të qeverisë përmes një koalicioni.

Presidenti autokratik i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, i cili fitoi sërish një mandat vitin e kaluar, në zgjedhje që u penguan nga frikësimi dhe ndryshimi i rregullave, mori një goditje politike këtë mars, kur partia e tij u mposht në zgjedhjet lokale në qytetet kryesore.

Rreziqet

Edhe pse demokracia ka dalë fitimtare në disa raste, ka rreziqe të njohura dhe kanë lindur edhe rreziqe të reja. Diktatorët e vjetër kanë penguar ose kanë manipuluar votimet në disa shtete. Grupet ushtarake Junta në Burkina Faso dhe Mali, i shtynë për një kohë të pacaktuar zgjedhjet dhe kalimin në sundimin civil, që ishin planifikuar për këtë vit.

Regjimet e tjera mbajtën zgjedhje të rreme. Mes një lufte që ka vrarë ose plagosur 500,000 rusë, Vladimir Putin “fitoi” 88% të votave në zgjedhjet e marsit, fitorja më e madhe në epokën e Rusisë post-sovjetike.

Vdekja e kundërshtarit të tij më të madh politik, Alexei Navalny, i cili vdiq i burgosur pak kohë para votimit, u quajt një “incident i pafat”, nga Putini. Diktatori Paul Kagame, i cili ka sunduar në Ruandë që nga viti 1994, “fitoi” 99% të votave në zgjedhjet e manipuluara presidenciale në korrik.

Cirku politik në Algjeri, ishte aq i pacipë, sa që edhe vetë presidenti në pushtet Abdelmadjid Tebboune, u befasua që kishte fituar 95% të votave. Kundërshtarët e tij e akuzuan organin zgjedhor për “pasaktësi, kontradikta, paqartësi dhe mospërputhje”. Në Venezuelë, diktatori në pushtet Nicolás Maduro, manipuloi rezultatet e zgjedhjeve dhe më vonë e detyroi kundërshtarin t’ia mbathte nga vendi.

Në disa autokraci, pjesëmarrja zyrtare në zgjedhje u rrit sepse u mbushën kutitë e votimit me vota të rreme. Nga ana tjetër, në regjimet që EIU i rendit si “hibride” (pra ato që ndodhen diku midis demokracive të meta dhe diktaturave të plota), pjesëmarrja e votuesve ra ndjeshëm, me një mesatare prej katër pikë përqindje.

Kjo tregon se votuesit janë të zhgënjyer.

Për shembull, në Bangladesh, shkalla e vogël e pjesëmarrjes prej 42%, nxiti një votë mosbesimi ndaj sundimtares të kahershme Sheikh Hasina, e cila më vonë u detyrua të largohej nga vendi pas protestave të mëdha.

Krahas autokratëve të stilit të vjetër si Putini, që arrestojnë kundërshtarët dhe manipulojnë votat, ka shenja të kërcënimeve të reja ndaj demokracisë.

Njëra prej tyre është se edhe ata pushtetarë që largohen nga detyra, kërkojnë të kontrollojnë pasardhësit e tyre. Në Indonezi, u mbajtën zgjedhje të lira në shkurt dhe presidenti Joko Widodo do të largohet nga detyra në tetor (pavarësisht spekulimeve se ai donte të qeveriste përtej afatit të mandatit).

Por ka shenja se ai dëshiron të ruajë pushtetin mbi administratën e ardhshme, nëpërmjet të birit, i cili u zgjodh si zëvendëspresident dhe nëpërmjet ndikimit të tij mbi partitë kryesore të Indonezisë.

Në Meksikë, u mbajtën zgjedhje të lira presidenciale, ku fitoi Claudia Sheinbaum, një kandidate që përkrahej nga presidenti autoritar në largim, Andrés Manuel López Obrador.

Sidoqoftë, shumë meksikanë kanë frikë se ai mund të përpiqet të ushtrojë pushtetin prapa perdes, sepse shkatërroi pavarësinë gjyqësore vetëm disa javë përpara se të largohej nga detyra në tetor dhe ka ende ndikim të madh në grupin parlamentar të partisë së tij.

Janë vënë re edhe risi në taktikat autoritare. Sundimtari i El Salvadorit, Nayib Bukele, ka krijuar një taktikë të re për të pasur sukses zgjedhor në Amerikën Latine: shfrytëzimi i mediave sociale dhe burgosja në masë e gangsterëve të dyshuar.

Ai ka përmbysur Kushtetutën, duke hedhur poshtë kufizimet kohore të mandatit presidencial, ka mbushur Gjykatën e Lartë me servilë dhe ka emëruar sekretarin e tij si president të përkohshëm. E megjithatë, ai është ende popullor, duke fituar 85% të votave në shkurt.

Kontinenti i vjetër me probleme të reja

Në Europë, një shqetësim në rritje është ndarja e partive dhe ndryshimi i prirjeve të votimit. Koalicioni qeverisës i ngathët i Gjermanisë, është mbërthyer nga konfliktet e brendshme.

Në Francë, u deshën më shumë se dy muaj për të formuar një qeveri të re funksionale pas zgjedhjeve parlamentare të korrikut, ku partitë e djathta dhe të majta të skajshme fituan më shumë vota se partitë e qendrës.

Në Holandë, në korrik, duhej të betohej si kryeministër një teknokrat, sepse partitë në pushtet nuk qenë në gjendje të binin dakord se kush do t’i drejtonte.

Puna e dobët e qeverive të koalicionit mund të rrisë zemërimin e votuesve dhe mbështetjen për partitë e jashtme përçarëse. Në Gjermani, mbështetja për të djathtën dhe të majtën e skajshme, u rrit në zgjedhjet rajonale të shtatorit.

Deri tani, demokracia duket se i ka kaluar provat e mëdha me të cilat është përballur në vitin 2024. Një kalim i ligjshëm dhe paqësor i pushtetit në Amerikë, do të rriste edhe më shumë besimin në qëndrueshmërinë e lirisë politike. Fatkeqësisht, kjo nuk është e garantuar./Monitor

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb