Nga ELTON DONO*

Një 21-vjeçar nga Korça ka përfunduar dje në pranga, pasi ka goditur me sëpatë në kokë gjyshen e tij 63-vjeçare. Burime zyrtare nga policia lokale bënë me dije se ngjarja ka ndodhur dje në lagjen nr.10 të qytetit juglindor. E moshuara Enverie Çollaku është dërguar në spitalin e këtij qyteti ku ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur blutë, të cilët kanë nisur hetimet. Vetëm pak orë pas krimit është bërë i mundur arrestimi i të riut Pablo Hazisllari, i cili pohohet të jetë përdorues i lëndëve narkotike. Sipas hetuesve të çështjes, nipi e ka goditur gjyshen e tij, pasi nuk i ka dhënë para.

NGJARJA
Mëngjesin e djeshëm, Pablo Hazisllari ka shkuar te shtëpia e gjyshes së tij (nga nëna) dhe i ka kërkuar asaj që t’i jepte 2 mijë lekë të vjetra. 63-vjeçarja Çollaku ka kundërshtuar djalin e vajzës së saj, duke i thënë se nuk kishte lekë. Kaq është dashur që i riu të debatonte ashpër me të moshuarën. Në sherr e sipër, ai ka marrë një sëpatë të vogël dhe e ka goditur në kokë gjyshen e tij, duke e plagosur rëndë. Thirrjet për ndihmë të të plagosurës kanë alarmuar familjarët dhe fqinjët, të cilët menjëherë kanë njoftuar policinë. Enverie Çollaku është dërguar në Spitalin Rajonal të Korçës, ku i është dhënë ndihma e parë mjekësore. Falë ndërhyrjes së shpejtë të mjekëve, ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, autori i krimit është larguar nga me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Forcat policore kanë shkuar në banesën e familjes Çollaku dhe pas marrjes së dëshmive, është vënë në ndjekje të 21-vjeçarit, duke bërë të mundur prangosjen e tij.

HETIMI
Burime nga policia e Korçës deklaruan Hazisllari njihej si person problematik. Sipas bluve, 21-vjeçari ishte përdorues i lëndëve narkotike dhe kjo ka qenë kjo arsyeja që gjyshja 63-vjeçare nuk ka pranuar t’i japë lekët që nipi i kishte kërkuar. Gjatë marrjes në pyetje i riu ka pranuar se ka goditur me sëpatë gjyshen e tij dhe ka kërkuar ndjesë. “Gjyshes i kërkova 2 mijë lekë të vjetra që të pija kafe, por ajo refuzoi të mi jepte. Në moment më hipi gjaku në kokë. Në gjaknxehtësi e sipër e godita me një sëpatë të vogël. Nuk desha që puna të arrinte deri këtu. Jam penduar për atë që bëra”, ka thënë Pablo Hazisllari, i cili akuzohet për “Plagosje të rëndë me dashje”. Ndërkaq, familjarët e 63-vjeçares kanë pohuar para bluve se 21-vjeçari shkonte shpesh te shtëpia e tyre dhe hante bukë. “Herë pas here ai kërkonte lekë, pasi prindërit e tij nuk i jepnin, pasi ishte përdorues droge. Pablo ka qenë problematik, por nuk e imagjinonim se ai do të arrinte deri këtu”, kanë thënë pjesëtarë të familjes Çollaku.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb