NGA JETON SELIMI

Partizani ka arritur marrëveshjen me sul muesin shkodran Xhevahir Sukaj, duke i dhënë fund kështu një telenovele që zgjaste prej dy javësh, ku palët herë dukeshin pranë firmës e më pas rivendoseshin distancat. Mesa duket, ka qenë vetë presidenti Demi që ka vendosur të mbyllë gjithçka sa më shpejt dhe t’i dhurojë Starovës një sulmues me potencial të madh për të plotësuar një repart që së bashku me Raçiç, Plakun e Fazliun, kthehet në një nga më të frikshmit në Superiore.

Lajmi i zyrtarizimit të Xhevahir Sukajt pritej që javën e shkuar, por sulmuesi kërkoi dhe disa ditë kohë për të vendosur mes ofertave që kishte nga Flamurtari, Partizani, por edhe mundësisë për t’u aktivizuar jashtë vendit. Mesa duket, projekti i të kuqve ka bindur shkodranin, që ka zgjedhur të luajë në edicionin e ri me fanellën e të kuqve të kryeqytetit.

Lajmin për nënshkrimin me të e konfirmoi vetë Partizani pak pas mesditës së djeshme: “Xhevahir Sukaj është përforcimi i radhës i 15-të herë kampionëve të vendit për sezonin futbollistik 2015-2016. Sulmuesi shkodran i rikthyer në Shqipëri pas eksperiencës në Iran, ka vendosur të vijojë karrierën e tij si futbollist me fanellën e kuqe, pas marrëveshjes së arritur sot (dje) me presidentin Demi. Klubi njofton se prezantimi i sulmuesi 27-vjeçar për mediat do të bëhet ditën e martë (sot) në orën 12:00 në ambientet e zyrave të klubit”.

PËRGATITËSI
Por Partizani nuk e ka mbyllur me kaq. E hëna ishte plot me bereqet për tifozët e kuq, që pas lajmit të nënshkrimit me Xhevahir Sukajn, ka publikuar njoftimin për angazhimin e përgatitësit italian Kristiano Xhanoti, ish-anëtar i stafit të gjigantit italian, Napoli. Xhanoti do të jetë pjesë e skuadrës në detyrën e përgatitësit atletik. 35-vjeçari nga Italia, i cili gëzon kualifikime bashkëkohore si specialist i përgatitjes fizike dhe rikuperimit të futbollistëve do të pasurojë tashmë stafin e Partizanit. Përgjatë 5 viteve të fundit, Xhanoti ka kontribuar me eksperiencën e tij në një prej klubeve më të njohura të Serisë A Napolin, duke qenë në krah të trajnerëve Maxarri e Benitez. Xhanoti do t’i bashkohet skuadrës në 23 korrik, datë në të cilën do të nisë edhe aventurën e tij të re në radhët e Partizanit.

MBROJTËSI
Ndërkohë është zbuluar edhe identiteti i mbrojtësit që pritet të vijë nga Verona. Në fakt, nuk është një lojtar italian, por Hysen Memolla, shqiptar në pronësi të Hellas Veronës, klubit të Serisë A. Gjithsesi, Memolla 23- vjeçar aktivizohet në Lege Pro me Martina Frankën, ku është i huazuar.

(b.e/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb