Nga: FATMIRA NIKOLLI*

TIRANE- “Gen Red” është kompania që ka bërë restaurimin e godinës gjashtëkëndore në qafën e Pazarit në Gjirokastër, godinë që u dëmtua pak ditë më parë. Zyrtarisht, përmes një njoftimi për mediat, Ministria e Kulturës, tha se ‘problemet e qëndrueshmërisë” tregojnë për një restaurim të punuar jashtë parametrave teknikë e profesionalë (ndërhyrjet e vitit 2009). Veçse në reagimin e parë të kësaj ministrie, fajtori mbetej anonim. “Gazeta Shqiptare” ka kërkuar nga Ministria e Kulturës, përgjigje për tri pyetje: 1-Kush ka qenë restauratori i vitit 2009 dhe cila kompani?; 2- Kush ka qenë supervizor nga IMK që e ka miratuar punën e bërë, apo relacioni ka përfshirë problemin në restaurim? dhe e 3-Përveç, ndërhyrjes së datave 17-18 gusht nga DRKK Gjirokastër, ç’masa do merren për fajtorët-shkaktarët e dëmit? Në përgjigje të kërkesës sonë, zyra e shtypit të Ministrisë së Kulturës, sqaroi dje për “GSH” se: “Projekti është i miratuar me vendim nr.2 dt.20.02.2008 të KKR. Autorë: Emin Riza, Genci Samimi, Eli Buka, Iris Baboçi. Supervizorë: Emin Riza, Eli Buka. Kolaudator: Ervin Panidha dhe firma zbatuese: ‘Gen Red’. Sipas MK-së, ky është i vetmi projekt në arkivën e IMK, ku paraqiten ndërhyrje në objektin në fjalë. Nuk e disponojmë dosjen e zbatimit të këtij projekti në arkivën e IMK dhe kjo nuk është hera e parë që nuk gjenden dokumente në arkiv”.

Mandej, MK bën me dije se “në raportin e UNESCO-s, dërguar nga z.Sinisa Sesum paraqitet objekti si pjesë e investimit me fonde të Qeverisë shqiptare, akorduar UNESCO-s, 2008-2009”.
Në përgjigje të pyetjes sonë të tretë, se ç’masa do merren për fajtorët-shkaktarët e dëmit, zyra e shtypit përgjigjet: “Po shqyrtojmë rastin për të bërë vlerësimin teknik dhe administrativ të saj. Për momentin është e rëndësishme që e kemi situatën në kontroll dhe që objekti është jashtë rrezikut, sikurse po kalojmë në skaner të gjitha godinat që paraqesin probleme të tilla”.

Kjo nuk do të ishte hera e parë që fajet në trashëgimi mbeten pa fajtorë. Kjo nuk është sërish hera e parë që restaurimet, në vend që të zgjasin jetëgjatësinë e objekteve të trashëgimisë, e kanë shkurtuar atë. Kjo mbase nuk do të ishte hera e parë, që restauratorë ‘problematikë’ në cilësinë e punimeve, rimarrin më vonë projekte të tjera. Deri kur? Mbetet e paqartë. Njësoj si me shumëçka në vendin tonë, kompanitë që marrin fonde publike ose nga donatorë po të doni, për të bërë investime, edhe në trashëgimi, për dëmet nuk mbahet përgjegjësi, ‘përgjegjësia’ mbahet vetëm për meritat. E nëse Ministria e Kulturës ka vërtetë dëshirë, të vërë rregull në këtë lami, duhet medoemos të kontrollojë dosje të tëra, për të parë se si fijet bëhen lëmsh, por nuk duhet vetëm të shohë. Ka ardhur koha të mbahet përgjegjësi dhe t’i thuhet ‘mjaft’ pandëshkueshmërisë. Si institucion në mbrojtje të trashëgimisë, nuk mundet më të ngrejë supet, se dëmet që ne shohim sot, e kanë zanafillën në qeverinë ‘Berisha’, sepse çdo zanafillë e ka një emër. Ashtu si një mjek, që shpallet fajtor, për kurën e gabuar të një pacienti, ashtu edhe një restaurator duhet të shpallet i tillë ‘për kurën’ e gabuar të pacientit të tij. Në mos ndodhtë kjo, sado fonde të jepen për trashëgiminë, ato do japin efektin bumerang, ngase, askush se ka frikë ligjin, as nuk i tutet dhe as ia bën syri tërr prej tij.

Tri ditë më parë
Pas raportimit në media për dëmet në objektin e njohur si “Gjashtëkëndëshi në Qafën e Pazarit”, i ndodhur në qendër të pazarit karakteristik të Gjirokastrës, Ministria e Kulturës, përmes një njoftimi shprehej se: “(Objekti) ka shfaqur probleme qëndrueshmërie të cilat pavarësisht investimit të vitit 2009, i cili preku gjithë pazarin karakteristik, tregojnë për një restaurim të punuar jashtë parametrave teknikë e profesionalë”.

Ministria e Kulturës sqaronte se “DRKK e Gjirokastrës ka ndjekur hap pas hapi të gjithë problematikën e banesës, duke konstatuar një dëmtim të çatisë, si pasojë e ndërhyrjeve të rënda teknike në vitin 2009. Nuk kemi të bëjmë me shembje, apo rënie të fasadës, siç është raportuar në disa media”. Sipas MK-së, është konstatuar dhe raportuar edhe disa herë më parë se ky dëmtim vjen si pasojë e ndërhyrjes në objekt, ku çatia është mbuluar me rrasa guri, që kanë rënduar mbulimin. Në gjendjen e sotme kjo ka shkaktuar dëmtim të trarëve mbajtës dhe të pllakave të çatisë. MK shtonte se elementët drusorë të përdorur në konstruksionin e çatisë janë jo të përshtatshëm për çatinë gjirokastrite. “Në kushtet emergjente masat e para të marra nga DRK-Gjirokastër janë drejtuar në përforcimin e strukturës, në ndërrimin e skemës statike të çatisë, si dhe përforcimin e structures me ngritjen e skelerisë, në vendosjen e kolonave të drurit, shkarkimi i një pjese të ngarkesës në dyshemenë e betonit, restaurim i
vitit 2009”. Ministria nënvizonte se me ndërhyrjen e fundit në datat 17 dhe 18 gusht 2015 nga specialistët e DRKK-Gjirokastër u arrit të stabilizohet qëndrueshmëria e çatisë dhe objekti mund të quhet i sigurt.

(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: