Galeria Kombëtare e Arteve do të mbyllet përkohësisht, pasi do t’i nënshtrohet rikonstruksionit.
Referuar zbatimit të projektit të Ministrisë së Kulturës për rikonstruksionin e godinës së GKA-së, ambientet e këtij objekti do të mbyllen, duke filluar nga 18.10.2021 deri në përfundimin e punimeve.
Galeria Kombëtare e Arteve është ngarkuar të marrë masa për transferimin e orendive, pajisjeve, arkivin administrativ pranë ambienteve të Albafilm sh.a.
Por aktiviteti i institucionit do të vijojë.
Në bashkërendim me Muzeun Historik Kombëtar apo entitete të tjera do të zhvillohen ekspozita të përkohshme dhe programe publike.
Po ashtu, në bashkërendim me Ministrinë e Kulturës dhe Drejtoritë Rajonale Arsimore, do të zhvillohen aktivitete kreative për edukimin e fëmijëve, në institucione arsimore.
Periudha e realizimit të punimeve në godinën e GKA do të shfrytëzohet për restaurimin dhe digjitalizimin e fondit artistik dhe arkivave, në bashkërendim me institucionet e specializuara të trashëgimisë kulturore.
Galeria Kombëtare e Arteve do t’i nënshtrohet rikonstruksionit total, si një investim i qeverisë shqiptare, duke ruajtur dhe evidentuar vlerat e projektit të prof. Enver Fajës.
Një godinë simotër do i shtohet asaj ekzistuese, në pjesën e pasme, me të njëjtat volume, duke zgjeruar hapësirat e fondit të ruajtjes së veprave të artit, ekspozimit, laboratorëve restaurues, aktivitetit edukues për të rinj e fëmijë e shërbime për vizitorët.
Nga 4.600 m2 që është sot, muzeu do të shtrihet në 10.100 m2. Sakaq vlera e investimit është rreth 1 miliard lekë.
Projekti është realizuar në vitin 2018 nga Studio Atelier4
Po ashtu projekti zbatohet nga bashkimi i operatorëve “4 A – M” sh.p.k., “K.A.E.XH.” sh.p.k., “IMAGE & COMMUNICATIONS DEVELOPMENT” sh.p.k., të përfaqësuar nga “4 A – M” sh.p.k
(BalkanWeb)