TIRANE

Prokuroria e Krimeve të Rënda, Policia Shqiptare në bashkëpunim me policinë italiane kanë publikuar rezultatet e një operacioni ndërkombëtar të trafikut të drogës të koduar ‘Lulet e Pranverës’.


Operacioni ka goditur 4 grupe kriminale dhe është finalizuar me 27 të arrestuar, 21 prej të cilëve shqiptarë të arrestuar në të dyja anët e Adriatikut. Në videokonferencën e organizuar në Tiranë merrte pjesë edhe prokurori i Antimafias italiane, De Raho.


Mësohet se operacioni në Shqipëri është shtrirë në disa qytete, si në Durrës, Vlorë dhe në Lezhë. Në Vlorë janë arrestuar nga policia shqiptare 6 persona.


Burimet thanë për “BalkanWeb”  se në pranga kanë përfunduar  Luka Beqiraj, Bilbil Kabello, Arbnor Hoxhaj, Denis Pashaj, Kujtim Elmazi dhe Kristian Llanaj.

Sakaq të arrestuarit në Itali janë Dorian Alikaj, Altin Avduramani, Ajet Cepaj, Klaudio Fani, Artur Malo, Raul Zenunaj, Giancarlo Desimone, Gianfranco Conestabile, Salvadore Santoro, Francesco Tarantini, Giuseppe Vanatagiato.

Hetimet përgjatë dy vitesh kanë bërë të mundur që të identifikohen dhe kapen pjesëtarët e 4 grupeve kriminale italo-shqiptare me baza operative në provincën e Leçes dhe degë në rajonet e tjera italiane dhe të gjithë përgjegjës për trafik ndërkombëtar droge, posedim dhe futje në territor italian të armëve dhe municioneve ushtarake.

Me anë të një video-konference nga Italia, Prokurori i Antimafias, De Raho tha se shkatërrimi i katër grupeve kriminale është bërë nga një skuadër e përbashkët mes Shqipërisë dhe Italisë. Sipas tij, sasia e drogës që trafikonin këto grupe kriminale me qendër më Lece kishte si denstinacion vendet europiane.

(d.d/BalkanWeb)