Policia Kufitare e Qafë Botës, në Sarandë, në bashkëpunim me policinë greke të Igumenicës kanë goditur një rast të trafikut të lëndëve narkotike drejt Greqisë, duke vënë në pranga tre shqiptarë dhe një grek.


Gjatë aksionit në tokën shqiptare janë kapur tre të rinjtë, dy trafikantët dhe bashkëpunëtori i tyre, të moshave 20, 21 dhe 19 vjeç. Ndërkohë që nga ana tjetër e kufirit është arrestuar shtetasi grek, G. M., 23 vjeç, i cili priste me një “Smart” për të marrë mallin.


Njoftimi i policisë:


Qafë Botë, Sarandë

Goditet një rast i tentativës për trafikim të lëndëve narkotike në drejtim të shtetit grek në sasi të vogla.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Mavromati”.

Operacioni nga Policia Kufitare e Qafë Botës në bashkëpunim me Policinë e Igumenicës, Greqi dhe Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në Policinë e Sarandës.

Arrestohen tre shtetas shqiptarë nga Policia Kufitare e Qafë Botës dhe Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, për tentativë të trafikimit të lëndës narkotike nëpërmjet kufirit jeshil me shtetin grek.

Arrestohet nga Policia greke, pritësi i lëndës narkotike, të cilit gjatë kontrollit në banesë iu gjet dhe një sasi lënde narkotike.

U sekuestrohen 3 kg lëndë narkotike Cannabis Sativa shtetasve të arrestuar, nga Policia Kufitare, si dhe një sasi tjetër lënde narkotike në banesën e shtetasit grek, i cili priste në kufirin jeshil lëndën narkotike nga tre shtetasit shqiptarë.

Në vijim të punën për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e trafiqeve të paligjshme dhe atë të trafikimit të lëndëve narkotike në drejtim të shtetit grek, Policia Kufitare e Qafë Botës në bashkëpunim me Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Komisariatin e Policisë Sarandë dhe me Policinë e Igumenicës kanë organizuar dhe finalizuar operacionin e koduar “Mavromati”.

Si rezultat i operacionit u bë e mundur kapja në kufirin jeshil, në Qafë Botë, e dy shtetasve shqiptarë në tentativë për të trafikuar në drejtim të shtetit grek 3 kg Cannabis Sativa.

Po gjatë operacionit, Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, identifikuan dhe kapën edhe një person tjetër si bashkëpunëtor në këtë trafik konkretisht, gjatë operacionit në tokën shqiptare u kapën dhe arrestuan shtetasit:

N. Sh., 20 vjeç, banues në Shalës, Konispol;

A. A., 21 vjeç, banues në Dishat, Konispol;

A. S., 19 vjeç, banues në Shëndëlli, Konispol;

Në vijim të operacionit, Policia Kufitare e Qafë Botës ka mundur të marrë informacion se një shtetas grek së bashku me automjetin e tij në afërsi të pikës kufitare greke Mavromat ishte duke pritur lëndën narkotike, që po transportohej nga dy shtetasit shqiptarë.

Menjëherë nëpërmjet pikës së kontaktit është njoftuar Policia e Igumenicës, e cila ka bërë të mundur kapjen e shtetasit grek G.M, 23 vjeç, banues ne Sivota, Bashkia Igumenicë, bashkë me mjetin e tij tip Smart. Nga kontrolli i kryer në banesën e shtetasit grek, Policia greke gjeti 1.5 kg lëndë narkotike Cannabis Sativa.

Materialet iu referuan Prokurorisë, në ngarkim të tyre, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim.

  • foto galeri
  • foto galeri

(d.ç./BalkanWeb)