Policia në Vlorë njofton se ka sekuestruar më tepër se 31 mijë euro, të cilat nuk janë deklaruar në kufi.
Për këtë rast, janë proceduar dy persona, drejtues të mjetit ku janë gjetur paratë. Bëhet me dije se paratë i gjetën brenda një autobusi të një agjencie udhëtimi.
“Vlorë/Bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, goditet një rast i mosdeklarimit të të hollave.
Sekuestrohen 31 805 euro të padeklaruara. Procedohen penalisht 2 shtetas, drejtues të automjetit ku u gjetën 4 pakot me euro.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, kanë ushtruar kontroll në autobusin e një agjencie udhëtimi. Në pjesën fundore të një sediljeje, u gjetën dhe u sekuestruan 31 805 euro, të ndara në 4 pako të mbështjella me letër celofani.
Në vijim të veprimeve për këtë rast, nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, për 2 drejtuesit e autobusit, shtetasit B. K., 46 vjeç dhe S. V., 29 vjeç, të dy banues në Vlorë.
Automjeti dhe shuma e parave u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.