TIRANE- Policia shqiptare ka marrë pjesë në një operacion të gjerë antitrafik të shtrirë në disa shtete, në kuadër të të cilit janë arrestuar 40 persona, pjesë e një organizate kriminale.

Në një deklaratë për mediat Policia e Shtetit bën të ditur se “në kuadër të operacionit ndërkombëtar “ALBA NOSTRA 2”, i cili është zhvilluar në Itali (qytetet Milano, Pavia,  Macerata, Asti) si dhe në Gjermani, Belgjikë, Rumani dhe Shqipëri, policia shqiptare ka arrestuar shtetasit Albert Qafa, 51 vjeç, lindur në Elbasan dhe banues në lagjen 14, Shkozet, Durrës si dhe Gani Doku, 48 vjeç, lindur në Mat dhe banues në Sallmone, Shijak, Durrës.

Sipas policisë, këta shtetas ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma me datë 09.03.2015, sepse Gjykata e Pavias në Itali, ka nxjerrë urdhër arresti ndërkombëtar  për veprat penale “Organizatë kriminale” dhe “Shfrytëzim prostitucioni”.

Si rezultat i bashkëpunimit midis strukturave të Policisë së Shtetit (Interpol Tirana dhe Sektorin Kundër Trafiqeve të Paligjshme) me Policinë Italiane, si dhe koordinimit me Drejtoritë e Policisë Qarqeve, Durrës, Elbasan dhe Lezhë është bërë arrestimi i këtyre shtetasve në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme në Durrës, si dhe shpallja në kërkim e një personi të tretë.

Sipas autoriteteve italiane shtetasi Albert Qafa, arrestuar sot është një ndër anëtarët kryesorët të këtij rrjeti kriminal. Operacioni vijon në bashkëpunim të ngushtë me policitë e vendeve partnere.

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: