Sapo ka mbërritur në Gjykatën e Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Fier, adoleshenti me iniciale B. D , i cili mëngjesin e së premtes në ambientet e brendshme të shkollës, goditi 4 herë me mjet prerës shokun e klasës në gjimnazin “ Mustafa Hoxha” në Cakran pas një konflikti të çastit.

Ilmi Saliaj raporton për BalkanWeb se autori ra në prangat e policisë menjëherë pas ngjarjes, ndërsa dy ditë më parë është arrestuar nga blutë e Fierit , dhe mbi të rëndon akuza “ Vrasje me dashje e mbetur në tentativë”.

Autori i dyshuar i ngjarjes do të dalë sot para trupit gjykues të përbërë nga gjyqtarja e gatshme për të mitur Klodiana Kryeziu, dhe Prokurore Oliana Gjergjefi e cila ishte e pranishme në shkollë edhe ditën e ngjarjes dhe në deklaratën për media ka pohuar se ngjarja është shumë e rëndë, por ka garantuar hetim të plotë dhe të gjithanshëm.

Ndërkohë 17- vjeçari vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe nuk dihet nëse ky detaj do të merret në konsideratë nga togat e zeza. Sipas dëshmisë së të plagosurit konflikti ka nisur një muaj më parë pas postimit të disa fotove në rrjetet sociale, ndërsa autori pritet që në dëshminë e sotme të hedhë më shumë dritë mbi këtë ngjarje të rëndë, që tronditi mbarë opinionin publik.

I mituri nuk ka folur asnjë fjalë gjatë seancës. Ai ka thënë se nuk është në gjendje që të flasë. “Nuk jam në gjendje që të flas, jam në ankth”, ka deklaruar i pandehuri. Pas seancës gjyqësore, adoleshenti u vendos në masën e sigurisë “arrest me burg”.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: