AUSTRI – Një 25-vjeçar shqiptar është dënuar me 20 vite burg pasi vrau gruan e tij në Graz të Austrisë.

Gjykata e shpalli fajtor të riun me origjinë kosovare, pasi ai thuhet se e ka vrarë gruan e tij me 12 goditje me thikë në prani të fëmijëve.

Paraprakisht, 25 vjeçari e ka pranuar veprën gjatë së cilës fëmijët kanë qenë në banesë por jo edhe qëllimin për të vrarë.

Kosovari ishte i njohur në polici para krimit, pasi u dëbua katër herë nga apartamenti i përbashkët brenda një viti.

Ai u dënua gjithashtu me tre muaj para vrasjes, pasi kërcënoi gruan e tij se ai do ta “therte atë si një derr” dhe kërcënoi të vriste djalin e tyre një vjeçar, shkruan media austriake ORF.

Shqiptari para trupit gjykues, me lot në sy ka thënë veç tjerash: “I urrej duart e mia, ato nuk kanë qenë të miat atë ditë. Unë e kam dashur atë mbi të gjitha dhe kurrë nuk kam dashur ta vrisja”.

Po ashtu ai është përbetuar para gjyqit se nuk ka pasur qëllim të vriste djalin e përbashkët. “Unë nuk do të mund t`i bëja asgjë birit tim, unë jam njeri familjar”.

Ndërsa kosovari ka deklaruar se partnerja e tij atë natë ia kishte pranuar se e kishte tradhtuar, dhe konflikti ka shkuar duke u përshkallëzuar.

Kosovari 25-vjeçar dhe shoqëruesja e tij 31-vjeçare nga Grazi, në qershor të vitit të kaluar kanë qenë duke festuar lidhjen e tyre në një lokal. Me atë rast është konsumuar edhe alkool.

Gjatë orëve të hershme të mëngjesit, situata mes tyre eskalon dhe përfundon me vdekjen e 31-vjeçares.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb