Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, zbuloi detaje të reja mbi paketën anti-KÇK, të prezantuar sot nga qeveria, në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në News24.

Lleshaj tha se kjo është një nismë dhe vullnet politik për t’i dhënë goditje krimit dhe korrupsionit në nivel të panjohur më parë.

“Do them që kjo nismë ligjore është nismë politike. Nëse flasim për përdorim politik po, pasi është nismë politike, vullnet politik për t’i dhënë goditje krimit e korrupsionit në nivel të panjohur më parë. Lidhet me situatën në të cilën ndodhet vendi sot. Ndodhet në një situatë, që karakterizohet nga Reforma në Drejtësi, dhe tashmë kjo reformë po afrohet drejt fazave finale të saj”, tha Lleshaj.

Më tej, ministri Lleshaj sqaroi dhe boshllëqet, që pritet të plotësojë kjo paketë anti-KÇK.

“Ka një demotivim, ose motivim për keq, të atyre që parashikohet të mos e kalojnë Vettingun. Këta po krijojnë kosto, përmes vendimeve skandaloze, që po japin, duke bërë që persona me rekorde kriminale të mos dënohen, të dënohen pak, ose të lirohen në sallë e gjyqit. Kriminelët të dalin dhe të bëjnë sërish krime. Kemi një trup të caktuar gjyqtarësh e prokurorësh, që po bëjnë të kundërtën e asaj që duhet.

Për të mbuluar edhe boshllëkun e SPAK, BKH, ne kërkojmë të adresojmë dhe zgjidhim këtë problem. Ka dy qasje, e para të dekurajojë krimin, kokat e krimit që kanë komoditetin për të bërë më shumë krime, dhe të fuqizojë instrumentet e luftës ndaj tyre”, deklaroi ministri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb