Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Toni Gogu, gjatë fjalës së sotme në Kuvend tha ndër të tjera se tani është koha që drejtësia të jetë ‘e pashembullt’ në vendosmërinë e saj. Ajo se drejtësia e re nuk njeh më përjashtime apo privilegje.
Gogu kishte këtu parasysh sulmet e opozitës karshi SPAK.
Pjesë nga fjala
“Është vërtet ‘e pashembullt’ që një person i akuzuar për korrupsion madhor, nga partnerët strategjikë dhe nga drejtësia e vendit të tij, guxon të ngrejë gishtin drejt të tjerëve. Është si skena e famshme e Charlie Chaplinit, ku për t’i shpëtuar policit, ai tregon me gisht dikë tjetër, duke shpresuar se do të largohet vetë i paprekur. Në komedi kjo shkakton të qeshura; në politikë, kjo është një përpjekje e dëshpëruar për t’i shpëtuar drejtësisë. Kjo është një ‘pashembulltësi’ që nuk buron nga morali apo ndershmëria, por nga frika e përgjegjësisë.
Po aq ‘e pashembullt’ është arroganca për të sulmuar shumicën dhe institucionet e reformës, vetëm sepse drejtësia guxon më në fund të trajtojë të gjithë njësoj – të pushtetshmit dhe qytetarët e zakonshëm. Shqiptarët nuk mund të mashtrohen më nga gishtat që tregojnë diku tjetër për të fshehur fajin e vërtetë. Kjo është koha që drejtësia të jetë ‘e pashembullt’ në vendosmërinë e saj për të mos njohur më përjashtime apo privilegje. Dhe ky është lloji i ‘pashembulltësisë’ që shqiptarët presin – një drejtësi e barabartë për të gjithë.”
(Balkanweb)