TIRANE – Goli i shënuar nga Lionel Mesi dhe Luis Suarez, duke pasuar topin nga gjuajtja e penalltisë, hapi një debat të gjerë në botën e futbollit.

Por, u zbulua se nuk ishte argjentinasi ai që e ka “shpikur”, pasi daton për herë të parë në vitin 1958, kur realizohej nga hungarezi Kopens. Por, të famshëm e bëri Johan Krujf në ndeshjen Ajaks-Helmond. Në fakt, duket se një gol i tillë është shënuar edhe në Shqipëri, madje 35 vite më parë.

Është vetë Roland Luçi, një prej autorëve të “penalltisë- pasim”, që e kujton atë episod në ndeshjen e Vllaznisë. Ai bashkëpunoi me Luan Vukatanën.

Ish-futbollisti i shkodranëve e kujton me një status në profilin e tij në “Facebook”: “E pra këtë mënyrë të gjuajtjes së penalltisë e kemi realizuar para 35 vjetësh në një ndeshje në Shkodër unë dhe Luan Vukatana.

E ka realizuar Vllaznia! Me siguri që arkivat e varfra të TVSH nuk e kanë të ruajtur një moment të tillë, se një copë film përdorej atë kohë kushedi sa herë derisa bëhej i papërdorshëm. Nejse, ata që kanë ndjekur futbollin që luanim ne në atë kohë ruajnë momente të bukura në kujtesë”, shkruan Roland Luçi.

Ai i referohet një ndeshjeje kundër Pogradecit, e vlefshme për Kupën e Shqipërisë, e cila përfundoi me rezultatin 7-0. Luçi dhe Vukatana realizuan një “penallti-pasim”, e cila u përfol shumë nga tifozët dhe kundërshtarët e kontestuan si të parregullt, por që arbitri nuk u dha të drejtë pogradecarëve. Një gol që mund të ishte bërë hit nëse realizohej në ditët e sotme, i “ndihmuar” edhe nga shpërndarja e informacionit në rrjete sociale…(panoramasport)
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: