Gola, VAR dhe emocione pafund. Liverpool-Chelsea dhuruan një 90-minutësh fantastik, në fund festa ishte e kuqe, me ekipin e Slot që kalon një pengesë të fortë duke marrë një 3 pikësh që i mban në krye të Premier League, plus 1 nga Man.City.
Sfida u zhbllokua në minutën e 29-të, me Curtis Jones që fitoi në 11-metërsh. Nga pika e bardhë e penalltisë, Momo Salah u tregua perfekt duke dërguar topin në rrjetë. Chelsea reagoi fuqishëm, fillimisht duke goditur shtyllën, ndërsa me fillimin e pjesës së dytë, Nicolas Jackson u shkëput shpejt duke barazuar shifrat në 1-1, fillimisht u vlerësua në pozicion jashtë loje, por më pas VAR e konsideroi të rregullt. Festa e bluve nuk zgjati shumë pasi 3 minuta më vonë, Momo Salah i dhuroi një assist Curtis Jones me mesfushorin anglez që nuk fali duke realizuar golin e dytë për Liverpool. Chelsea u përpoq të shmangte këtë humbje, por pa sukses.
Mediat angleze i kushtuan faqet e para suksesit të Liverpool, ku personazh kryesor ishte njeriu trepikësh, Curtis Jones. Feston për këtë fitore edhe Arne Slot, trajneri i Liverpool, pasi në sytë e tij kjo ishte një ndeshje shumë e bukur, një sfidë mes të barabartësh, të cilën me siguri e kanë shijuar të gjithë tifozët e futbollit.