NGA JETON SELIMI

Futboll Klub “Partiza ni” ka ngritur zërin pas padrejtësive në gjykim gjatë ndeshjes Partizani- Kukësi, që u zhvillua të martën dhe që u mbyll me rrjeta të paprekura. Me një video-moviolë, të kuqtë akuzojnë federatën se po telekomandon gjyqtarët për shkak se Partizani ka dalë hapur kundër FSHF-së. Partizani reagon zyrtarisht pas gabimeve të gjyqtarëve në ndeshjen e së martës kundër Kukësit, ku të kuqve iu anulua një gol i rregullt i shënuar nga Kaleb Ekuban që në minutën e katërt të takimit.

Më pas, ndeshja pati dhe momente të tjera të dyshimta, teksa Partizani ka vendosur që nëpërmjet një videoje ku ka përmbledhur të gjitha situatat e ndeshjes me Kukësin, të sfidojë federatën, teksa e fton që të bëjë me Jeminin, atë që pat bërë me Jorgjin pas ndeshjes me Skënderbeun, me gjyqtarin e FIFA-s që për mediat shpjegonte vendimet e tij në takimin Partizani- Skënderbeu 0-0.

“Nuk jemi nder klubet që ankohemi për gjykimin në një ndeshje të vetme. Por, ajo kundër Kukeëit ishte ‘dënimi’ i radhës që uniformat e zeza po nxijnë mbi lodhjen dhe meritën e futbollisteve tanë. Prej 14 javëve, të paktën pesë prej tyre janë vendosur nga gabimet e arbitrave në dem të Partizanit. Ky reagim vjen si nevojshmëri për të evituar ‘telekomandimin’ e rezultateve nga arbitrat”. Përveç një penalltie të marrë në ndeshjen e parë kundër Luftëtarit, e cila u diskutua gjatë në opinionin sportiv, Partizanit ka pretenduar në disa takime goditje nga pika e bardhë, por gjithnjë u është mohuar nga gjyqtarët, ndërsa me ndeshjen e së martës duket se të kuqtë kanë humbur durimin.

“Futboll Klub ‘Partizani’ nuk do të bëhet kurrë, në asnjë moment vegël e askujt dhe për asnjë arsye dhe aty ku nuk ka transparencë patjetër që do të ngrejë zërin e tij, zë i cili përfaqëson një klub legjendë të futbollit shqiptar, një tifozeri që i kalon kufijtë zyrtarë të Republikës së Shqipërisë”. Madje, Partizani aludon se situata në fjalë vjen për shkak të pozicionimit të hapur kundër Federatës Shqiptare të Futbollit që ka marrë presidenti Gazmend Demi, i cili në daljet e tij të fundit publike ka kërkuar llogari për fondet që FSHF duhej t’u shpërndante klubeve shqiptare dhe konkretisht klubit që ai zotëron.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: