Inter “thyen” 2-0 Como-n, por në “San Siro” vuajnë më shumë se sa pritej. Pavarësisht se pak ditë më parë realizoi një gol olimpik, Simone Inzaghi nuk preferoi për asnjë minutë mesfushorin kuqezi, Kristjan Asllani. Inter zbriti në fushë i përgjumur, krijuan pak raste për shënim, por situata ndryshoi me fillimin e pjesës së dytë, ku Calhanoglu ekzekutoi një goditje këndi perfekte, hodhi një kros të bukur në qendër, aty ku Carlos Augusto me kokë dërgoi topin në rrjetë.
Pas golit të shënuar, Inter krijoi disa raste për shënim, por Dumfries dhe Dimarco nuk u treguan të saktë. Vijon periudhën e thatësisë edhe Lautaro Martinez, por për të mbyllur llogaritë me Como-n mendoi Thuram, me sulmuesin francez që sigloi shifrat në 2-0 në minutën e 92-të.
Me një ndeshje më shumë në dispozicion, Inter e sheh veten në vendin e tretë në Serie A në kuotën e 37 pikëve, 3 më pak se Atalanta kryesuese.
Simone Inzaghi vlerëson maksimalisht këtë fitore, pavarësisht se ekipi i tij vuajti shumë: “E dinim që nuk do të ishte e thjeshtë, pikësëpari më duhet t’i bëj komplimente Como-s. Nuk ishim perfekt, por treguam pjekuri si skuadër”, u shpreh Inzaghi pas ndeshjes.
Në sfidën tjetër të javës së 17-të, Udinese befasoi Fiorentinën duke u shkaktuar një humbje 2-1 brenda në “Artemio Franchi”.
(BalkanWeb)