Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri me dije se, do të 10-fishohen fondet për programin e strehimit social. Në konferencën e zhvilluar ditën e sotme ai tha se do të ketë me shumë fonde për bashkitë që nuk kanë mundësi.

Gjate konferencës për Programin e Strehimit Social u tha se, “Shqipëria ka një ndër normat më të larta të pronësisë së banesës në Europë”. Sipas të dhënave të Censusit të vitit 2023, 82.5% e familjeve shqiptare jetojnë në banesa në pronësi të tyre dhe vetëm 8.8% jetojnë në banesa me qera. Pjesa e mbetur jetojnë pa pagesë në banesa në pronësi të të afërmeve të tyre.

Si rezultat i kësaj, përgjatë gjithë periudhës së tranzicionit, politika e strehimit në Shqipëri është orientuar përgjithësisht drejt shtresave më në nevojë dhe të margjinalizuara.

Ministri i MEKI-t, Blendi Gonxhja, theksoi politikën e re për Strehimin Social, ku sektori privat u transferon bashkive 3% të sipërfaqes së ndërtimit ose ekuivalentin në para për strehim social. Falë kësaj politike, pranë bashkive është krijuar një stok publik banesash sociale prej 117,823 m2 dhe është akumuluar një fond prej mbi 35 milion Euro.

Që nga miratimi i ligjit të vitit 2018, nga programet e strehimit social kanë përfituar në total 22,840 familje ose 82 mijë qytetarë.

Ministri Gonxhja tha se për vitin 2025 pas thirrjes së MEKI-t për investime, kanë ardhur aplikime nga 43 bashki me 55 projekte strehimi gjithsej.

Gjithashtu, për vitin 2025 Ministria Ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit hapi thirrjen për 530 kuota të reja për t’iu ardhur në ndihmë 530 familjeve apo të rinjve e të rejave të cilët punojnë me përkushtim në administratën publike, aplikimi i cili do të jetë i hapur për 30 ditë.

Ministri Gonxhja duke folur rreth së ardhmes së strehimit social në vend, tha se deri në 2030 do të mbështeten rreth 50 mijë familje nga një program 300 milion Euro për paketën e strehimit për familjet, studentët dhe emigrantët.

“Po punojmë që të vlera e strehimit të arrijë nga 8 milionë euro programi sot, në afro 75 deri 80 milionë euro në vit, pra ta 10-fishojmë”, tha Gonxhja.

Ai shtoi se “reforma e strehimit social do rimodelohet për të qenë proporcional në mënyrë që t’u japim fonde me shumë bashkive që nuk kanë mundësi, por edhe të ndihmojmë edhe të tjerat. Ka qytete që kanë vend për ndërtime të reja, kemi godina të tjera pronash shtetërore të pashfrytëzuara dhe do vihen në funksion të strehimit”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb