GOSTIVAR-Ky është momenti kur një ‘ushtri’ me policë hyjnë në aksion për të arrestuar një biznesmen të njohur shqiptar në Maqedoni.


Ministria e Punëve të Brendshme ka shfaqur një video tjetër të arrestimit të Fadil Arsllanit nga Gostivari, i cili akuzohet për vepra krime financiare, fajde, zhvatje, dokumente false dhe aktivitete të tjera për përfitim të pasurive në forma të paligjshme, raporton INA.


Arsllani ishte i dyshuari kryesor në operacionin policor “Çekani” të ndërmarrë në rajonin e Gostivarit më 10 dhjetor të vitit të kaluar. Në mesin e 15 të dyshuarve dhe të akuzuarve ishin edhe avokatë, noterë dhe përmbarues nga Shkupi dhe qytete të tjera.


Grupi dyshohet për bashkëpunim në akte kriminale financiare, dhënie të fajdeve, zhvatje dhe dokumente të falsifikuara. Por, në ditën e arrestimeve, i dyshuari kryesor, Arsllani, ishte në arrati.

Policia dyshon se pronat dhe pasuria e tij bazohet në aktivitete kriminale dhe se mbi 2 milionë euro thuhet se janë përfituar në këtë mënyrë. Policia ka konfiskuar të gjitha makinat luksoze të biznesmenit gostivaras.

Fadil Arsllani njihet edhe si pronari i diskotekës së mirënjohur “Golden Eye” në Gostivar dhe pronar i një hoteli luksoz në Mavrovë.

Biznesmeni gjatë arratisjes, në disa prononcime përmes rrjeteve sociale, ka theksuar se është i pafajshëm dhe se operacioni i tij është një hakmarrje që ka prapavijë edhe politike. Ai ka theksuar se pasuria e tij është e pastër.

(d.b/BalkanWeb)

Etiketa: