Një ngjarje e paprecedentë ka ndodhur në Jug të vendit. Mësohet se është grabitur depoja e armëve në Pashaliman. Nga raportimet e para thuhet se në këtë bazë ushtarake janë vjedhur armë të llojeve të ndryshme gjatë natës.


Ushtari që duhet të ruante armët, nuk ishte në vendin e punës në momentin që ndodhi  vjedhja. Nga të dhënat raportohet se janë vjedhur tre armë automatike. Kjo vjedhje konsiderohet si ngjarje e paprecedentë, ndërsa janë shoqëruar edhe pesë ushtarakë.


Armët kanë qenë në një tip kasaforte, e cila është hapur me forcë. Aty panë që mungonin 3 armë, që sipas burimeve të gazetarit Enrik Mehmeti arrijnë vlerën e 8 mijë eurove.


Dyshohet se mund të jetë një person i brendshëm që mund t’i ketë vjedhur këto armë duke qenë se ngjarja ka ndodhur brenda repartit ushtarak.

Sipas informacioneve të BalkanWeb në bazë ka shumë kamera dhe në pjesën e kantierit.  I vetmi vend ku mungojnë kamerat e instaluara është pikërisht vendi ku qëndronin armët.

Edhe pse kanë kaluar disa orë nga vjedhja e kësaj depoje, autoritetet ende nuk kanë bërë të mundur identifikimin apo arrestimin e personave të dyshuar. Ndërkohë hetimet vijojnë dhe priten detaje të reja në vazhdim për këtë ngjarje të rëndë.

(e.f/BalkanWeb)