FIER – E ndërsa pritet që Gjykata e Fierit të vendosë masën e sigurisë ndaj dy çobanëve të arrestuar dy ditë më parë si autorë të dyshuar të grabitjes dhe përdhunimit të një çifti në pyllin e Semanit, detaje të tjera kanë dalë nga hetimi i kësaj ngjarjeje. Burime konfidenciale nga policia, dje pohuan se ditën që u grabitën 28-vjeçari Vladimir M. dhe e fejuara e tij, Aida A., në pyllin me pisha të Semanit është dhunuar dhe grabitur edhe një biznesmen i njohur në Fier, i cili ka qenë me të dashurën në makinën e tij tip fuoristradë.

Mësohet se dy persona me maska e me armë gjahu i janë afruar automjetit të biznesmenit. Njëri ka qëndruar jashtë makinës duke ruajtur se mos i shikonte ndonjë kalimtar, ndërsa tjetri ka hapur derën e fuoristradës. Ky i fundit ka vënë re se biznesmeni dhe e dashura e tij ishin në momente intime. Grabitësi, nën kërcënimin e armës i ka marrë biznesmenit një shumë lekësh dhe më pas e ka goditur dy herë me qytën e armës. I terrorizuar, biznesmeni, emri i të cilit nuk bëhet me dije, ka sinjalizuar Policinë për ngjarjen, por nuk ka bërë denoncim. Pas verifikimit të telefonatës, blutë kanë zbuluar personin që ka i ka njoftuar për grabitjen, por meqenëse nuk ka bërë kallëzim, lajmi nuk është bërë publik.

Dyshohet se autorë të kësaj ngjarjeje të jenë 20-vjeçari Endri Goga dhe 18-vjeçari Shaban Skeja, të cilët grabitën çiftin e fejuar. Ndërkohë, burime nga policia lokale deklaruan se nga hetimet ka rezultuar se pylli i Semanit frekuentohet shumë nga biznesmenët, të cilët kanë rënë pre e grabitësve.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: