DURRËS- Një pikë e basteve sportive është grabitur mbrëmjen e së enjtes në qytetin e Durrësit. Sipas raportimeve, ngjarja ka ndodhur në lagjen 13 në sektorin Iliria, ndërsa pronari i lokalit ka rrezikuar seriozisht jetën, pasi është qëlluar me armë nga grabitësi i maskuar.

Vetë pronari i pikës së basteve, Ëngjëll Ismailaj tha se ngjarja ndodhi rreth orës 22:00 të ditës së djeshme. “Ishte ora 10 e darkës, kur një person i maskuar, rreth 1.65 cm i gjatë hyri me një pushkë gjysmë-automatike në lokal dhe më kërkoi xhiron ditore. Ishin dhe 10 dëshmitarë aty”, ka treguar Ismailaj momentet e grabitjes.

Ai ka pohuar se me gjithë frikën për jetën e ka kundërshtuar autorin, ndërsa ai ka shtënë në drejtim të tij. “Kur më kërkoi paratë e kundërshtova dhe ai qëlloi me armë në drejtimin tim, po se di Zoti më ka shpëtuar! Plumbi kaloi afër krahut tim, bëri rikoshet në mur dhe u përplas në dysheme. Grabitësi ka marr gjithë xhiron, rreth 1.4 milion lekë”, tha pronari i lokalit.

Në vendin e ngjarjes kanë shkuar forcat e policisë së Durrësit, të cilat kanë sekuestruar kasetat e kamerave të sigurisë. Ndërkaq mësohet se janë shoqëruar 10 persona, me precedentë penalë. Blutë po punojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: