TIRANE- Arrestohen autorët e dyshuar të grabitjes së argjendarisë, ngjarje kjo e ndodhur pak ditë më parë në Shkodër. Burime zyrtare për ‘BalkanWeb’ bënë me dije se bëhet fjalë për Francesk Vukajn, i cili akuzohet të jetë autor i dyshuar si dhe Iraldo Filipi, bashkëpunëtori i tij.

Ngjarja në fjalë ndodhi gjatë orës 03:50 të mëngjesit të së shtunës në zonën e tregut valutor. Vukaj akuzohet se me një makinë ka goditur qepenen e argjendarisë dhe më pas është futur brenda. Nga argjendaria thuhet se ka marrë një shumë prej 4-5 milionë lekë të vjetër duke marrë bizhuteri argjendi.

NJOFTIMI I POLICISE
Identifikohen dhe kapen autorët e grabitjes së argjendarisë, ngjarje e ndodhur me datë 03.02.2018 në lagjen “Vasil Shanto”. Më datë 07.02.2018 nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, falë një pune të mirëorganizuar hetimore, u bë e mundur identifikimi dhe ndalimi i shtetasit:
Françesko Vukaj, 23 vjeç, banues në fshatin Rrenc, Shkodër.
Gjithashtu si bashkëpuntor i tij u arrestua shtetasi:
Iraldo Filipi, 28 vjeç, banues në fshatin Gajtan, Shkodër
Ndalimi i shtetasit Francesko Vukaj, u bë pasi dyshohet si autor i grabitjes me datë 03.02.2018, ku me mjetin tip Volkswagen pa targa, ka goditur qepenin e një argjendarie në lagjen “Vasil Shanto”, ka marrë disa sende floriri brenda, dhe më pas është larguar duke braktisur mjetin.
Ndërsa shtetasi Iraldo Filipi u arrestua, pasi në anën tjetër të rrugës ka qenë duke pritur me mjetin tip Benz, për t’u larguar sëbashku me shtetasin Françesko Vukaj nga vendngjarja, pas grabitjes së argjendarisë. U sekuestruan në cilësinë e provës materiale mjeti tip Benz me targa AA 294 GU, i cili është përdorur nga autorët për largimin nga vendngjarja, si dhe një orë dore floriri e cila rezulton e vjedhur në argjendari. Materialet iu referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprën penale të “Vjedhjes, e kryer në bashkëpunim” e “Shkatërrimi i pronës” parashikuar nga neni 134/2, 25 e 150 i Kodit Penal.

(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb