Policia e Shtetit ka arritur të identifikojë autorin e grabitjes së bankës në Tepelenë brenda pak orësh. Sipas informacioneve të fundit zyrtare, bëhet e ditur se falë reagimit të shpejtë dhe profesional të Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër dhe Policisë lokale, në kohë reale është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar të vjedhjes me armë.

Policia deklaron se për arsye hetimi nuk bëhen me dije gjeneralitet e autorit. Ndërkaq mësohet se policia është vënë në ndjekje të tij, duke përdorur të gjitha format e metodat operacionale dhe hetimore për të bërë të mundur kapjen.

Gazetarja Brikena Metaj raportoi për “BalkanWeb” duke iu referuar burime nga policia se bëhet fjalë për 25-vjeçarin me iniciale K.R. Ai ka qenë i vetëm gjatë grabitjes dhe është larguar me një “Benz” gri

Autori mbante armë në dorë dhe nën kërcënimin e saj grabiti paratë e xhiros ditore që ndodheshin në arkë. Punonjësit e bankës kanë mbetur të tronditur dhe nuk kanë dhënë asnjë sinjal alarmi për të lajmëruar policinë në kohë.

Blutë e Tepelenës kanë ngritur postoblloqe përgjatë gjithë akseve Tepelenë–Kakavijë dhe Tepelenë–Tiranë si dhe në drejtim të fshatit Salari nga mendohet se mund të jetë drejtuar grabitësi.
Në ndihmë të policisë së Tepelenës kanë shkuar edhe forca të FNSH-së.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb