MEMALIAJ

Gjykata e Apelit në Gjirokastër ka lënë në burg pesë personat e arrestuar nga policia e Tepelenës si përgjegjës për grabitjen me armë dhe plagosjen e kambistit të palicensuar Mustafa Mustafait dhe gruas së tij, në 22 janar në qytetin e Memaliajt. Policia e Tepelenës ka identifikuar brenda një kohe të shkurtër autorët e grabitjes së dhunshme në Memaliaj. Gjykata ka vendosur burg per Donaldo Nelaj, Dali Nelaj, Ari Isomati, Armando Cakaj dhe Ervis Hysi.

ARRESTIMET:

Policia e Tiranës në bashkëpunim me atë të Tepelenës kanë arrestuar edhe organizatorin e kësaj grabitjeje. 22-vjeçari Donaldo Nelaj është arrestuar në Tiranë, ndërsa më herët ai ishte shpallur në kërkim nga policia e Tepelenës. I riu rezulton person me precedentë kriminalë, ai është akuzuar më parë për vjedhje me dhunë, kundërshtim me forcë të punonjësve të policisë dhe transport të lëndëve narkotike. Blutë e stacionit të policisë Memaliaj arrestuan edhe 18 vjeçarin Dali Nelaj, Ari Isomatin 19 vjeç dhe Armando Cakaj 19 vjeç, të tre banues në Memaliaj si bashkëpunëtorë në këtë ngjarje.

Mësohet se të tre këta shtetas sapo kanë dalë nga bankat e shkollës së mesme. Bashkëpunëtor në këtë ngjarje ka rezultuar edhe 24-vjeçari Ervis Hysi, nga Gjirokastra, që aktualisht kryen dënimin në burgun 313 Tiranë, pas arrestimit për veprat penale “Kanosje” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, ndërsa tashmë i shtohet edhe akuza e korrupsionit pasiv. Autor i grabitjes së dhunshme të 70 vjecarit Mustafa Mustafai, në dyqanin e tij në Memaliaj rezultoi të ishte 21 vjecari Ilirjan Korbi nga Paskuqani i Tiranës.

Ai u arrestua rreth orës 14.00 të së martës së 29 janarit në Shkodër, ku kishte shkuar për t’u strehuar tek të afërmit e vet (halla e vet). Korbi, një i ri me vetëm 8 klasë arsim, në bashkëpunim me 6 të rinjtë tashmë në pranga, arriti të grabiste orët e para të mbrëmjes së 22 janarit në Memaliaj, ndërsa çifti i bashkëshortëve ishin ende në dyqanin ku tregëtojnë artikuj industrialë, në kohën kur një person i maskuar grabiti nga të moshuarit një shumë prej 25 mijë lekësh, duke i dhunuar ata.

NGJARJA:

Mustafa Mustafai, 70 vjeçari nga Memaliaj u grabit me dhunë mbrëmjen e së martës së 22 janarit. Ngjarja ndodhi në dyqanin në pronësi të tij, në qendër të qytetit të Memaliaj. Pas kësaj ngjarjeje policia e identifikoi grabitësin si një të ri rreth 1.95 cm të gjatë dhe dyshimet ishin mbi një person të huaj që prej disa ditësh kishte mbërritur në qytetin e Memaliaj. Grabitësi i maskuar goditi në kokë 70 vjeçarin që mbeti pa ndjenja në tokë dhe më pas rrëmbeu portofolin me paratë dhe celularin. Çifti i të moshuarve të grabitur është ndihmuar nga kalimtarët. Mustafa Mustafai u shoqërua për në spitalin rajonal të Gjirokastrës me një plagë në kokë të shkaktuar me pjesën e pasme të pistoletës, por pa rrezik për jetën. 70 vjeçari Mustafa Mustafai, dikur minator, prej 30 vitesh merret me tregëti. Ai gjithashtu ushtron edhe rolin e kambistit, por jo të deklaruar, pasi ishte i paliçensuar.

(d.d/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb