TIRANË- Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani ngre dyshime serioze për grabitjen e Prokurorisë së Durrësit dhe personat e akuzuar si autorë.

Në një status në “Facebook”, Manjani shtron 9 pyetje që kërkojnë përgjigje, ndërsa akuzon Ministrinë e Brendshme që sipas tij ka nën hyqëm Prokurorinë se po luan keq.

Ai thotë se dy autorët e arrestuar që dolën dje në gjyq nuk e njihnin njeri-tjetrin, atëherë si mund të kenë kryer bashkë vjedhjen? Ajo që kemi parë deri tani është vetëm propagandë për të fshehur realitetin, shkruan Manjani.

STATUSI I MANJANIT
Një dyshim që provon një rrezik të madh.
Nuk më bind aspak që dy fakirë, të cilët e shohin njëri-tjetrin për herë të parë në një sallë gjyqi me pranga në duar, të jenë grabitës të disa dokumenteve hetimore në Prokurorinë e Durrësit.
Të dy të akuzuarit shpjeguan mjaft thjeshtë në sallën e gjyqit, se në kohën e pretenduar të grabitjes kanë qenë diku tjetër. Ata përmendën edhe persona të tjerë me të cilën kanë qenë.
E vetmja provë që flet kundër tyre janë disa gjurmë gishtash që janë gjendur në dy vende specifike.
Por askush nuk sqaron se si ato gjurmë janë vendosur aty?! Janë lënë vërtetë nga personat e akuzuar apo i ka vënë dikush tjetër? Ta zëmë nga vetë Policia e Shtetit, e cila donte se s’bën një arrestim për këtë ngjarje të rëndë…
Janë disa pyetje që e tejkalojnë logjikisht dyshimin se ata fakirë të jenë grabitësit e vërtetë.
1. Si mund të grabitet prokuroria nga dy persona që nuk njihen me njëri-tjetrin?
2. A mund të imagjinohet se të dy janë takuar “rastësisht” në vendin e grabitjes?!
3. A mund të grabitet një institucion publik që ruhet, të paktën pa dijeninë e rojës? Në të kundërt roja do ishte neutralizuar disi…
4. Si ka mundësi që gjenden gjurmë gishtash dhe jo pëllëmbë? A mund të thyhet një sirtar tavoline me gishta, pra pa pëllëmbë?
5. Vështirë të besohet se grabitjet të bëhen pa doreza, ndaj pyetja që ngrihet është a janë mendërisht në rregull “grabitësit”?!
6. A ka lidhje grabitja e zyrave me grabitjen e postës sekrete të po kësaj prokurorie?
7. A mund të rrëzojnë disa gjurmë të dyshimta gishtash alibinë e të arrestuarve, të cilët provojnë se kanë qenë diku tjetër?
8. Po punonjësit e Prokurorisë a i kanë zbatuar rregullat për ruajtjen e dokumentacionit hetimor?
9. Kush janë personat që kishin dijeni për përmbajtjen e dokumenteve të zhdukur?
Këto pyetje meritonin përgjigje dje, por askush nuk dha asnjë hint! Dikush mund të thotë se këto pyetje do t’i sqarojë hetimi. Por, mendoj se duhet të ishin sqaruar tashmë ose s’mund të kishim arrestime. Për ndryshe logjika fut ujë…
Ajo që kemi parë deri tani është vetëm propagandë për të fshehur realitetin.
Dje vunë gjumë opinionin duke shpallur “grabitës” dy fakirë që jo vetëm nuk e njohim njëri-tjetrin, por paskan grabitur dokumente me vlerë hetimore që atyre nuk ju intereson!!!
Kjo është maskaradë!
Ministria e Brendshme që ka nën hyqëm edhe prokurorinë, po luan keq!
Kështu ka qenë në komunizëm…
Kujdes!

Manjani fb

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb